Arbëri

Bordi jofunksional rrezikon aktivitetet e BQK-së

Descriptive Text

Emrat për pretendentë për tre anëtarë të Bordit të BQK-së i janë përcjellë Kuvendit para përfundimit të sesionit pranveror, por që ende nuk janë shqyrtuar. E në mungesë të Bordit, BQK-ja nuk e ka miratuar as buxhetin, gjë që rrezikon aktivitetet e saj. Kandidatë për anëtarë të Bordit të BQK-së janë: Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa

Prishtinë, 3 tetor - Pa buxhet të miratuar e me probleme në vendimmarrje, ka një vit e tre muaj që po përballet Banka Qendrore e Kosovës. Skadimi i mandatit të tre anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së, e ka bllokuar vendimmarrjen.

Pesë emrat pretendentë për tre anëtarë joekzekutivë të Bordit, i janë përcjellë Kuvendit para përfundimit të sesionit pranveror, por që nuk janë shqyrtuar ende.

Mosaprovimi i buxhetit të këtij institucioni rrezikon ndërprerjen e sistemit të pagesave, të shërbimeve bankare që BQK-ja ofron për Qeverinë, si dhe ndërprerjen e procesit të furnizimit të ekonomisë me para të gatshme.

Por, nga BQK-ja thonë se kanë shfrytëzuar aktet e brendshme juridike, të cilat parashohin që në rast të pamundësisë së aprovimit të Buxhetit për vitin e ri kalendarik, BQK-ja mund të shfrytëzojë buxhetin e vitit paraprak duke u mbështetur në parimin 1/12.

“Kujtojmë se kjo vlen vetëm për qëllime të financimit të shpenzimeve operacionale, ashtu edhe siç është aplikuar nga ana e BQK-së gjatë këtij viti. Rrjedhimisht, pamundësia e shfrytëzimit të buxhetit do të nënkuptonte ndërprerjen e aktiviteteve të BQK-së, me pasoja shumë të rënda për funksionimin normal të ekonomisë, por edhe të vetë shtetit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e BQK-së

Sipas përgjigjes, mungesa e Bordit ka sjellë probleme edhe në miratimin e rregulloreve të BQK-së dhe përafrimin e vazhdueshëm të kornizës rregullative të BQK-së me aktet rregullative të BE-së.

“Një nga detyrat dhe përgjegjësitë e Bordit të BQK-së është edhe miratimi i të gjitha rregulloreve të Bankës Qendrore, të zbatueshme për institucionet financiare në vend. Me anë të rregulloreve të saj, BQK-ja krijon kushte adekuate të funksionimit dhe standardizimit të sistemit financiar në vend me kornizën ligjore, që dalin nga Direktivat e Bashkimit Evropian si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se kompletimi i Bordit të BQK-së, është nevojë e menjëhershme për sistemin financiar në vend dhe për sigurinë kombëtare.

“Definitivisht në Kosovë ndodhin paradokse të shumta, por në qoftë se është, një nga paradokset më të mëdha është mungesa e Bordit të BQK-së, kjo për faktin e rëndësisë që ka ky institucion jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin politik dhe të sigurisë kombëtare. Guvernatori i Bankës Qendrore e ka një rol dominues dhe krucial për shtetin, andaj kaloi më tepër se një vit dhe Bordi nuk është kompletuar dhe e tërë kjo ka ndikuar në performancën e BQK-së”, ka theksuar Gërxhaliu.

Sipas tij, “nuk menaxhohet BQK-ja vetëm me vullnet të mirë të Guvernatorit, nuk ka miratim të buxhetit, nuk ka miratim të akteve tjera, mbi të gjitha nuk ka shtytje të Ligjit të BQK-së”.

Ai ka thënë se është koha që agjenda politike ta ndërrojë kahen dhe të dalë në drejtim ekonomik.

“Bordi i Bankës Qendrore duhet të kompletohet sa më shpejt që është e mundur. Kam drojë që pavarësisht performancës së Guvernatorit të BQK-së, do të jetë i penalizuar për punën që ka kryer pasi që çdo akt ligjor duhet ta ketë miratimin e Bordit. Duhet të besoj që Kuvendit të miratojë Bordin dhe t’i kthehet rëndësia që e ka BQK-ja”, ka pohuar ai.

Nevojën për kompletim të Bordit të BQK-së e ka theksuar edhe përfaqësuesja Rajonale e Fondit Monetar Ndërkombëtar për vendet e Ballkanit Perëndimor, Stephanie Elbe, në një intervistë për KOHËN ditë më parë.

“Në këtë drejtim, është thelbësore që Parlamenti t’i plotësojë pozitat e lira në Bordin e Bankës Qendrore sa më shpejt të jetë e mundur. Bordi ka funksionuar pa kuorumin e nevojshëm për më shumë se një vit, që nga mesi i vitit 2020, prandaj dhe plotësimi i vendeve të lira është jetik për funksionimin e tij normal. Bordi i Bankës Qendrore miraton rregulloret e reja dhe siguron mbikëqyrje të zbatimit të politikave të Bankës Qendrore”, ka theksuar ajo.

Moskompletimi i Bordit të BQK-së pamundëson aprovimin e rregulloreve të reja dhe ndryshimin/plotësimin e atyre ekzistuese, si dhe pengon përafrimin e vazhdueshëm të kornizës rregullative të BQK-së me aktet rregullative të BE-së, parimeve bazë për mbikëqyrje efektive, dhe dokumenteve të Komitetit të Bazelit.

Para përfundimit të sesionit pranveror, lista me emrat e pesë kandidatëve për tre anëtarë të Bordit të BQK-së, është dërguar për shqyrtim në Kuvend.

Kandidatë për anëtarë të Bordit të BQK-së janë: Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa.

Megjithatë, shqyrtimi i tyre nuk është në rend të ditës në seancën e paraparë për javën që vjen.