Arbëri

Marrëveshja për targat i ka bërë dëm shtetit, thotë opozita

Para arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, opozita kërkoi seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën në veri. Por një debat i tillë sipas partive opozitare është më shumë se i domosdoshëm pas nënshkrimit të marrëveshjes, të cilën e konsiderojnë të dëmshme për Kosovën. Qeveria nuk ka treguar nëse kryeministri Kurti planifikon të raportojë para deputetëve për përmbajtjen e marrëveshjes

Arritja e marrëveshjes në Bruksel ka intensifikuar kërkesat e opozitës për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për situatën në veri. Ujdia për targat, sipas PDK-së, i ka sjellë dëme shtetit. Andaj kryetari i Grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Abelard Tahiri, e konsideron më se të nevojshme thirrjen e një debati të tillë parlamentar.

“Tashmë ju e dini që pjesë e marrëveshjes është edhe kjo pjesa transitore dhe neve na intereson shumë të dimë vizionin dhe qëndrimin e kësaj qeverie hap pas hapi se cila do të jetë marrëveshja dhe cili do të jetë dëmi i radhës që do t'ia bëjë Republikës së Kosovës”, vlerëson Tahiri.

Të hënën, sipas tij, grupet parlamentare pritet të takohen për t’u pajtuar rreth datës së seancës, e cila ishte planifikuar para finalizimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (PDK), e cila paraqiti kërkesën për një debat të tillë, thotë se nevoja për mbajtjen e seancës është më e madhe pas marrëveshjes. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, vlerëson se gjendja është më serioze pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Ka vendosur që territorin e veriut ta trajtojë ndryshe nga pjesa tjetër e shtetit edhe pse nuk i takon kjo e drejtë, sepse nuk ia lejojnë Kushtetuta e as populli. Është pajtuar ai që njësitë elite të Policisë së Kosovës të trajtohen njëjtë sikur bandat kriminale në veri”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë të paqasshëm të premten për të folur rreth kësaj çështjeje.

Përgjigjja ka munguar edhe nga Qeveria në pyetjen nëse kryeministri Albin Kurti apo zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, planifikojnë të raportojnë para deputetëve për marrëveshjen.

Kosova dhe Serbia u pajtuan të enjten që bllokadat në veri të largohen dhe forcat speciale të Policisë të zëvendësohen me pjesëtarë të KFOR-it. Në vend të targave të përkohshme, sipas marrëveshjes, drejtuesit e automjeteve duhet t’i mbulojnë simbolet shtetërore të Kosovës e të Serbisë me letër ngjitëse.