Arbëri

MASHTI: Për mungesën e teksteve shkollore, përgjegjëse janë drejtoritë komunale për pasaktësi në numra

Zëvendësministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna në konferencën e rregullt të kësaj ministrie ka prezantuar punën që ka bërë ministria me organizimin dhe fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas raporteve që kemi marrë nga komunat, në pjesën më të madhe të shkollave ka filluar mësimi me prezencë fizike.

“Kemi lënë në funksion skenarët e mëparshëm që do të mund të zbatohen në ndryshim të kushteve. Në Prishtinë 39 shkolla kanë filluar në skenarin rikthimi dhe 20 në skenarin A. Në mënyrë që shkollat të mbesin të hapur ju bëjmë thirrje shkollave për respektim të masave”.

Maloku-Bërdyna ka thënë se tekstet shkollore që ofrohen falas janë shpërndarë qysh më 16 shtator, dhe se mungesa e tyre në disa klasa është për shkak se drejtoritë komunale të arsimit nuk ka njoftuar për numrin e saktë të nxënësve.

KOHA ka marrë informacione se në disa klasë në kryeqytet ka mungesë të teksteve shkollore.

“Ministria e Arsimit edhe këtë vit ka ofruar tekste shkollore falas. Bazuar në komisionin për shpërndarjen e librave janë shpërndarë tekstet shkollore për klasat 1 deri ne 9. Për klasat 6 dhe 7 do të përdoren tekste alternative. Ekipet e MASHTI-t kanë dalë për të monitoruar shpërndarjen e librave dhe të shohim nëse ka mungesë të librave. Tekstet shkollore janë shpërndarë në bazë të të dhënave që kanë dorëzuar DKA-të, nëse ka nxënës që nuk kanë marrë tekstet përgjegjësia bie mbi DKA-të që i kanë dorëzuar të dhënat”, tha ajo.