Arbëri

Kundërshtohet vendimi për masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit që shkaktoi aksidentin në Ferizaj

Me pankartat "Drejtësi të pavarur", "Duam drejtësi", "Ministre ku je", “Po drejtësi, jo korrupsion", qytetarë të shumtë po kundërshtojnë vendimin Gjykatës për lirimin në arrest shtëpiak të E.M., që shkaktoi aksidentin në Koshare të Ferizajt, ku humbën jetën pesë persona. Aksidenti ka ndodhur më 6 qershor të këtij viti.

Protesta, e paralajmëruar si protestë paqësore, po mbahet në Sheshin e Dëshmorëve në Shtime.

"Plagët janë të hapura dhe dhimbja ende është e papërballueshme për ne. Ngutia e prokurorit dhe Gjykatës për lehtësim të procedurave krijon dyshime të bazuara për anim në rast dhe jo-drejtësi", thuhet në një njoftim të bërë në Facebook.

Të premten e shkuar, me kërkesë të Prokurorit, E.M., është liruar për në arrest shtëpiak, ka konfirmuar zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Ferizajt, Albënora Bekteshi-Hoti. Ajo i ka thënë KOHËS se masa e arrestit shtëpiak është në afat prej 1 muajsh.