Arbëri

PDK-ja e quan regres për Kosovën marrëveshjen për targat

Partia Demokratike e Kosovës e ka konsideruar regres për Kosovën dhe forcim të poziionit të Serbisë, marrëveshjen e arritur sot në Bruksel për çështjen e targave.

Të enjten, Kosova e Serbia arritën marrëveshje për çështjen e targave. Sipas marrëveshjes së arritur, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë të vendosura nga serbët që kundërshtuan reciprocitetin për targat, ndërsa aty do të vendoset KFOR-i. Elementet shtetërore në targat e veturave do të mbulohen me letra ngjitëse, ndërsa do të formohet një grup punues për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

PDK-ja ka thënë se e ka mbështetur vendosjen e reciprocitetit, por “tërheqjen nga ky vendim kaq shpejtë dhe në këtë mënyrë është dekurajuese dhe tejet shqetësuese për zhvillimet e ardhshme”.

“Largimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës dhe rikthimi i KFOR-it - duke marrë përsipër detyra të rendit publik dhe kontrollit të kufirit që i takojnë policisë, përbën një kthim prapa për institucionet tona të pavarura shtetërore dhe dëmton rolin kushtetues të Policisë së Kosovës. Ky zhvillim përbën një njollë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës si një shtet i konsoliduar i pavarur dhe sovran”, thuhet në një reagim të PDK-së.

Sipas partisë më të madhe opozitare, me pranimin për tërheqje të sinkronizuar të Policisë dhe barrikaduesve, Qeveria i ka konsideruar palët e barabarta, “duke nëpërkëmbur kështu dinjitetin e autoriteteve tona shtetërore të sigurisë”.

“Duke i trajtuar njësoj me barrikaduesit, kjo Qeveri ka fyer forcat speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë patriotike. Jo vetëm kaq, por nga sot barrikadat janë përligjur si mjet efikas për përparimin e interesave të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar PDK-ja.

Sipas PDK-së, mbulimi i pjesëve specifike të targave është konfirmim i marrëveshjes së vitit 2016. Për këtë pikë, PDK-ja ka thënë se Qeveria duhet të japë shpjegime “pse e shkaktoi gjithë atë tension të përshkallëzuar në veri, duke cenuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe duke e portretizuar Kosovën në opinionin ndërkombëtar si një vatër trazirash - vetëm për t'u rikthyer në një çështje të dakorduar që para 5 vjetësh”.

Kjo parti ka kritikuar marrëveshjen edhe për çështjen e pranimit të targave “KM”. E ka konsideruar këtë si dorëzim të sovranitetit dhe shpërblim të përpjekjeve të Serbisë për ta mohuar shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Në fund, PDK-ja ka kërkuar publikimin e detajeve të marrëveshjes.

Jo të mirë këtë marrëveshje e kanë konsideruar edhe dy partitë tjera opozitare, LDK-ja e AAK-ja.