Arbëri

"Vonesat gjyqësore po bëjnë që shumë ish-punëtorë të vdesin pa e marrë 20 përqindëshin nga AKP"

Janë afër 46 mijë punëtorë që kanë përfituar nga 20 përqindëshi i mjeteve nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, proces ky i cili ka filluar njëherë nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) dhe tashmë Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Deri më tani punëtorëve u janë shpërndarë më shumë se 1 milion euro nga privatizimin i ndërmarrjeve shoqërore. Por jo të gjithë punëtorët kanë përfituar, janë edhe një numër i madh që me vite presin për t’u renditur në lista për të përfituar nga këto mjete.

Mirëpo, kryesindikalisti Haxhi Arifi fajëson Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për vonesat e trajtimit të ankesave të punëtorëve. Ai madje ka thënë për Ekonomia Online se punëtorët po vdesin pa e marrë 20-përqindëshin që u takon nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore.

Arifi ka saktësuar se në këtë drejtim Qeveria e ardhshme duhet të intervenojë që mos të ketë zvarritje të pakufishme të trajtimit të ankesave të punëtorëve nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

“Problemi më i madh janë gjykatat, Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, panelet e vendorëve por njëkohësisht edhe ndërkombëtarëve. Është një numër i madh i listave që janë atje, mund të them se deri më tani janë shpërnda mjete mbi 1 milion euro që kanë përfituar afro 46 000 punëtorë, por ende janë mbi 10 000 ankesa, ndoshta edhe më shumë të cilat presin për shqyrtim. Mendoj që panelet si vendore, por edhe ndërkombëtare duhet ta ndryshojnë gjendjen në Dhomën e Veçantë për shkak se punëtorët nuk mund të presin pa kufi. Të them të drejtën ka nga ata që po vdesin pa i marrë mjetet edhe pse ato dikush i trashëgon”, ka thënë Arifi në një prononcim për Ekonomia Online.

“Qeveria që vjen duhet të intervenojë dhe më saktësisht të përfundojë një neglizhencë që ndodh atje në përfundimin e ankesave që bëhen nga punëtorët, sepse me tri-katër vjet pret një ankesë, ku një person e pengon një listë prej 200 punëtorësh, dhe derisa nuk shqyrtohet ankesa e personit pengohen personat e tjerë që janë në listë . Nuk mund të bëhet shpërndarja e mjeteve përderisa nuk shqyrtohet ankesa e atij personi”, ka shpjeguar Arifi.

Kreu i BSPK-së ka theksuar se kjo çështje duhet të zhbllokohet dhe se 2-3 ankesa të punëtorëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme nuk do të duhej ta bllokonin një listë të tërë me më shumë se 200 punëtorë.

“Nuk duhet ta bllokojnë procesin, por duhet t’ua shpërndajmë atyre të tjerëve mjetet dhe të tjerat mjete të ruhen në fondin rezervë që nëse e fitojnë rastin i marrin, por nëse jo t’i marrin punëtorët e tjerë”, ka thënë Arifi.