Arbëri

KFOR-i thotë se mban qëndrim të paanshëm, por është i gatshëm për çdo situatë

KFOR-i ka njoftuar se i është përgjigjur zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, duke rritur patrullimet përgjatë rrugëve të bllokuara dhe po ashtu duke vendosur njësi në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Në një postim në Facebook, KFOR-i ka thënë se mban qëndrim të paanshëm. Por se është i gatshëm për t’u marrë me të gjitha situatat e mundshme.

Është thënë se gjenerali Franco Federici është duke biseduar me palët e përfshira për deeskalim të situatës.

“Në përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO ka rritur patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet e rrugëve dhe po ashtu ka vendosur njësite në pikat kufitare në Jarinjë e Bërbnjak. KFOR mban një qëndrim të paanshëm, të fuqishëm, të shkathët dhe fleksibil për t’u marrë me të gjitha rastet e mundshme. Gjenerali Federici mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e përfshira, për të kontribuuar në deeskalim rapid. KFOR-i mbetet i përkushtuar në implementimin e përditshëm të mandatit të vet – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara e vitit 1999 – për të ofruar një ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet nga KFOR-i.

Në videon e publikuar në Facebook nga KFOR-i shihet gjeneral-majori Franco Federici duke e monitoruar situatën në veri nga helikopteri. 

Sot është dita e dhjetë që kur serbët kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë e Bërnjak, në shenjë proteste ndaj vendosjes së reciprocitetit të targave. Kosova vendosi reciprocitet të targave ndaj Serbisë. Qytetarët që hyjnë në Kosovë nga Serbia duhet të marrin targa të përkohshme të Kosovës, ngjashëm siç kanë bërë tash e sa vite qytetarët e Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.