
Reagon MASHT, por nuk jep fakte
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar ndaj shkrimit të sotëm të KosovaPress-it, të cilin e ka botuar edhe portali Koha.net, duke thënë se MAShT konsideron se titulli i këtij shkrimi nuk përkon me përmbajtjen e Raportit të ZKA-së.
Megjithatë, KosovaPress thotë se qëndron prapa shkrimit pasi i gjithë shkrimi është i bazuar në raportin e Zyra Kombëtare e Auditimit.
Derisa MASHT lavdërohet në realizimin e buxhetit, auditimi ka thënë se “nuk mund të themi se MASHT kishte përformancë të mirë buxhetore”. MASHT e ka pranuar çështjen e Ushtruesve të detyrës por nuk e ka komentuar raportin e auditorit ku thuhet:

MASHT nuk ka folur edhe për shkeljen e ligjit për buxhet dhe financa” Sipas ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, në muajin nëntor nuk do të ketë pagesa të paradhënies mbi dhjetë (10%) dhe në dhjetor mbi pesë (5%) të vlerës së kontratës dhe atë, vetëm pas aprovimit nga Ministri i Financave. Ne kemi gjetur se për projektin e shkollës fillore në Klinë, është dhënë avanc në muajin dhjetor në vlerë 108,671€ (10% e vlerës së kontratës). Për pagesën e avancit nuk ishte marrë aprovimi i nevojshëm paraprakisht”:

Kurse, lidhur me vonesat në realizimin e projekteve kapitale, MASHT, ka dhënë një arsyetim por nuk ka komentuar pjesën e raportit” MAShT nuk kishte aplikuar penale ndaj kompanive, ngase sipas tyre rrethanat e vonesave kanë qenë të dyanshme, mungesa e buxhetit, ndryshimet në specifika dhe neglizhenca e kompanive nga ana tjetër”.

MASHT në këtë sqarim nuk ka folur për pranim jo të rregullt të mallrave.
“Në procedimin e 17 pagesave të ndërlidhura me mallrat dhe shërbimet me vlerë 425,722€, ne kemi gjetur se fillimisht ishin pranuar mallrat/shërbimet dhe fatura, ndërkaq më vonë ishte bërë (zotimi i mjeteve, kërkesa për blerje, dhe urdhërblerja). Po ashtu te tetë (8) pagesa të investimeve kapitale me vlerë 526,249€, zotimi ishte bërë pas faturimit”, thuhet në raportin e auditimit.
Ja sqarimi i MASHT-it:
Menaxhimi i projekteve kapitale, vazhdimi i kontratave kornizë, planifikimin jo të mirë i prokurimit
Agjencia e Lajmeve “KosovaPress” gjatë ditës së sotme ka publikuar një shkrim me titull “Ministrisë së Arsimit i dalin skandalet në shesh”, në të cilin pretendohet të vihen në pah gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) në MAShT gjatë vitit 2016.
Me qëllim të informimit të drejtë dhe korrekt të opinionit publik, Raporti i Auditimit për raportin financiar vjetor të MAShT për vitin 2016, është vlerësuar si njëri nga raportet më të mira të institucioneve shtetërore, vlerësim të cilin e ka dhënë edhe vet Zyra Kombëtare e Auditimit.
Madje, ZKA ka konstatuar se MAShT ka realizuar buxhetin në masën më të mirë të mundshme dhe ka treguar performancë të mirë buxhetore.
MAShT i ka marrë me prioritet trajtimin dhe zbatimin e rekomandimeve të vitit paraprak, pjesa më e madhe e të cilave janë zbatuar dhe një pjesë tjetër janë në proces të zbatimit.
Megjithatë, sqarojmë se:
Gjetjet e vogla në universitetet publike janë përgjegjësi ekskluzive e menaxhmenteve të universiteteve dhe hyjnë në kuadër të autonomisë financiare dhe menaxheriale të tyre (pagesat dhe kompenzimet e stafit akademik).
Lidhur me pozitat të cilat mbulohen me “Ushtrues detyre” në MAShT dhe agjenci ekzekutive, MAShT sqaron se kjo çështje është e rregulluar me kuadrin ligjor në fuqi dhe një pjesë e tyre janë në pritje të përfundimit të procedurave gjyqësore të zyrtarëve që i kanë mbajtur këto pozita.
Sa i përket projekteve kapitale, të cilat janë të filluara nga viti 2009, ZKA me të drejtë i ka pasqyruar projektet e përfunduara dhe ato në përfundim e sipër dhe MAShT e ka theksuar vazhdimisht se mungesa e buxhetit të mjaftueshëm në njërën anë dhe neglizhenca e kompanive të caktuara nga ana tjetër, kanë qenë aryet e vonesave të parqitura në këtë drejtim.
Vet raporti i ZKA-së potencon se MAShT ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura që librat shkollor të rikategorizohen përmes Ligjit për Buxhetin nga Ministria e Financave dhe Kuvendi i Kosovës, ndërsa poashtu i njëjti thekson që MAShT ka zbatuar rekomandimin më të rëndësishëm të vitit të kaluar që lidhet me rregullimin e procedurës së shpërndarjes së teksteve shkollore.
Prandaj, MAShT konsideron se titulli i këtij shkrimi nuk përkon me përmbajtjen e Raportit të ZKA-së, raport për të cilin menaxhmenti i lartë i MAShT ndihet i kënaqur që ka arritur që ky dikaster të vlerësohet si një nga institucionet me performancën më të mirë buxhetore dhe me raportin më të mirë të 10 viteve të fundit.