Arbëri

Malias: Në fund të rrugës, ka të ngjarë të vijë njohja nga Greqia

Ish-ambasadori grek në Tiranë dhe Washington, Aleksandros Malias, është i bindur se Greqia do ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës

Në Greqi shtohen zërat për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ish-ambasadori grek në Shqipëri dhe SHBA, Aleksandros Malias, është i bindur se Greqia do ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës. Malias thotë se një marrëveshje midis Greqisë dhe Kosovës do të përmirësonte pozicionin e vendit fqinj, i cili mund të “përqafojë” Prishtinën dhe të shtypë ndikimin e Turqisë në Ballkan.

Në një opinion për gazetën “Ekathimerini”, ish-ambasadori në Shqipëri në vitet 1999-2000, foli për marrëdhëniet midis Greqisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke dhënë detaje për politikën e ndjekur nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias.

“Kontaktet e nivelit të lartë me Kosovën janë intensifikuar. Kanë kaluar më shumë se 16 vjet (3 mars 2005) që atëherë kryeministri grek, Costa Karamanlis, vizitoi Prishtinën. Ishte vizita e parë dhe fatkeqësisht e fundit e kryeministrit në atë shtet të pavarur të cilin Greqia nuk e ka njohur dhe që ndodhet dy orë nga kufijtë tanë. Ministri Dendias ka iniciuar një dialog të nivelit të lartë midis Greqisë dhe Republikës së Kosovës. Në fund të rrugës, ka të ngjarë të vijë njohja. Ky zhvillim, i cili do ta afronte Greqinë me faktorin shqiptar, do të thyente dominimin e Turqisë,” shkruan Malias.

Një dokument i tillë, të cilin Malias e quan “pakt”, sipas tij, do të duhej të përfshinte dispozita që ndalojnë “bashkimin e Kosovës me cilindo shtet fqinj”.

“Prandaj, njohja kombinohet me kushtin bazë për rajonin më të gjerë në lidhje me përjashtimin e ndryshimeve të kufirit, ndarjeve dhe shkëmbimeve të territoreve (me Serbinë) dhe një bashkimi të mundshëm të ardhshëm (me Shqipërinë)”, tha ai.

Duke folur se si do të ndikonte në Serbi një vendim i tillë i Athinës, Malias shkruan se marrëdhëniet greko-shqiptare nuk duhet të prekin Serbinë. “Pavarësisht paralajmërimeve, zyrtarët serbë që kanë harruar se Greqia ka shpenzuar sasi të mëdha të kapitalit diplomatik në të kaluarën për të mbështetur politikat jugosllave dhe serbe”, tha ai. “Tani ka ardhur koha të ndryshojmë qasje”.

Në korrik të këtij viti, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka folur për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Greqia, në një intervistë për gazetën “Real News” me gazetarin Jorgos Siasidhas. Në intervistën e tij, kreu i diplomacisë greke ka komentuar çështje “të nxehta”, si marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë, zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, çështjen e Qipros dhe Kosovës. Lidhur me mesazhin e rolit të ri, më të zgjeruar të përfaqësisë diplomatike të Kosovës në Athinë dhe dy vizitave brenda pak muajsh në Prishtinë, ministri Dendias është pyetur nëse Greqia planifikon njohjen e Kosovës dhe nëse ky akt është kundër të drejtës ndërkombëtare. Dendias në përgjigje është shprehur se integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane të Bashkimit Evropian përbën një çështje prioritare, pasi stabiliteti në rajon ndikon drejtpërdrejt në sigurinë edhe të Greqisë. Sipas Dendias, edhe pse ka ndryshuar pozicioni i Greqisë në lidhje me statusin e Kosovës, mbajtja e një qëndrimi konstruktiv dhe mbështetja e dialogut Prishtinë-Beograd janë prioritare. Lidhur me ligjshmërinë e njohjes së mundshme të pavarësisë nga ana e Greqisë, Dendias iu referua Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila në vitin 2010 doli me konkluzionin se shpallja e pavarësisë Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, pasi nuk ishte produkt i përdorimit të dhunës së paligjshme të dënuar nga Këshilli i Sigurimit, siç ishte sipas Dendias, “shpallja e pseudo-shtetit të Qipros turke në vitin 1983”. Nikos Dendias shtoi se me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u themeluan mjaft shtete të reja, ku asnjë prej të cilave nuk ishte rezultat i një sulmi të jashtëm.

Ministri i Jashtëm grek ka vizituar një muaj më parë Prishtinën dhe është takuar me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe politikanë të tjerë të Kosovës. Kreu i diplomacisë greke përcolli në Prishtinë mesazhin e mbështetjes për Kosovën, por jo njohjen e saj. “Mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që t’i shtojnë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do ta afrojë edhe më shumë atë me familjen evropiane. Ne besojmë se Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të liberalizimit të vizave, meqë Kosova ka përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”, tha Dendias një muaj më parë në Prishtinë.

Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, Dendias ka bërë të ditur se do të vizitojë sërish Kosovën pas disa muajsh, si dhe se vizitat e tij do të shërbejnë për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Ai më tej ka deklaruar se Greqia do të mbështesë në vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe tha se është në kontakt me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Dendias ka vizituar Kosovën edhe më 9 tetor të vitit 2020, ku është shprehur se njohja e Kosovës është çështje e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka zyrën e tij në Prishtinë.