Arbëri

Dita e katërt – Jarinja mbetet e bllokuar, Serbia vëzhgon situatën me helikopterë

Protestuesit serbë kanë vazhduar ta mbajnë të bllokuar për të katërtën ditë rresht pikën kufitare në Jarinjë. E enjtja ka kaluar pa tensione në këtë zonë, derisa Serbia nga territori i saj ka vëzhguar herë pas here situatën me helikopterë.

Qetë ka nisur dita e katërt e rezistencës së protestuesve serbë në pikën kufitare të Jarinjës. Por qetësinë e serbëve, që në mëngjesin e së enjtes ishin të shumtë në numër, e prishi helikopteri i KFOR-it.

Duke respektuar vijën kufitare ajrore, helikopteri kryen detyrën.

Një orë pas, brenda territorit të Serbisë fillimisht dëgjohen, e më pas edhe shfaqen dy helikopterë teksa vëzhgojnë situatën.

Më herët, policët vërejnë dy automjete të xhandarmërisë serbe teksa patrullojnë brenda territorit të Serbisë, në distancë jo shumë të largët nga autoblindat e Njësisë Speciale.

Në vizitë rreth orës 14:00 protestuesve u erdhi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili e vlerësoi situatën të tensionuar.

Ndërkohë, protestuesit nisin të ndërrohen.

Përballja e policisë me bllokadat e protestuesve në Bërnjak e vonoi zëvendësimin e policëve në Jarinjë.

Kur arritën me pak vonesë, numri i tyre habiti një serb i cili në këmbë kaloi kufirin.

Kësaj radhe ndërrimi i policëve nuk u shoqërua me britma e fyerje.

Për dallim nga orët e mëngjesit, pasdite është zvogëluar numri i protestuesve, sikurse edhe i atyre që zakonisht këto ditë qarkullojnë përgjatë rrugës së bllokuar me makineri të llojeve të ndryshe.

Gomat e kamionëve të përdorur për bllokadë disa protestues nisin t’i shfryjnë.

Pak metra larg, dy persona interesohen për situatën.

Policia, ndërkohë vëren disa lëvizje në kodrën e lartë brenda Serbisë.

Tre persona shihen duke lëvizur në kodër. E, pak më vonë kuptohet arsyeja e qëndrimit të tyre atje. U vendos flamuri i Serbisë.

Edhe të enjten kanë qenë të shumtë personat që në këmbë kanë kaluar të dy anët e kufirit si pasojë e bllokimit të rrugës.

Serbët po kundërshtojnë prezencën e Njësisë Speciale të Policisë në veri të vendit, e cila është e ngarkuar për të mbikëqyrur zbatimin e reciprocitetit me targa.