Arbëri

Deputetja e PDK-së kërcënohet me mos-votim të demarkacionit

Një numër i deputetëve të Kuvendit të Kosovës thonë se kohët e fundit i janë nënshtruar presioneve, kërcënimeve si dhe thirrjeve publike për të mos votuar të ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi.

Por, Policia e Kosovës thotë se deri më tani nuk ka pranuar asnjë rast të paraqitur nga deputetët si kërcënim ndaj tyre.

Safete Hadergjonaj, është deputete e Partisë Demokratike të Kosovës që vjen nga Komuna e Deçanit. Ajo ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në telefonin privat ka marrë disa mesazhe kërcënuese, nga persona siç thotë, të njohur dhe të panjohur.

“Më kanë ardhur shumë mesazhe. Ka pasur edhe mesazhe kërcënimi. Por, megjithatë unë jam e vetëdijshme për votën time. Kërcënime kam marrë në telefon, Facebook, mesazhe tjera”.

“Mesazhe ka të llojllojshme, disa thonë “mos voto”, në mesazhet tjera shkruan, se ‘a do të kthehesh ndonjëherë në Deçan?”, ka thënë Hadërgjonaj.

Megjithatë, Hadërgjonaj thotë se për këto kërcënime ajo nuk ka raportuar në organet e rendit.

Hadërgjonaj thotë se nuk frikohet nga, siç thotë ajo, “hijenat që kanë përcjellë në periudhën e vështirë të historisë se kombit, kurse tashmë mundohen të bëhen patriotë duke dërguar lloji-lloj shantazhesh”.

“Për mua le të bëjnë çka të duan të tjerët, unë kam mendimin, qëndrimin tim, kam forcën dhe guximin të marr vendime të duhura në momentin e duhur për interesin e vendit tim. Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë ndonjë veprim që cenon interesin e vendit tim dhe nuk do ta bëjë as në të ardhmen”, thotë Hadërgjonaj.

Emri i deputetes Safete Hadergjonaj, është lakuar edhe në një faqe të rrjetit social Facebook, më emrin “Thuaj Jo Demarkacionit më Malin e Zi” , ku nuk dihet adresë e kujt është, por thuhet se Vota për, është votë e tradhtisë.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës, thonë se deri më tash në këtë institucion nuk është raportuar për ndonjë kërcënim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Policia e Kosovës në të gjitha rastet kur posedon informacion, apo në të gjitha rastet e raportuara, ndërmerr veprimet e saj ligjore për hetimin, trajtimin e rasteve konform autorizimeve ligjore që ka, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me prokurorët kompetentë".

“Në këtë procedurë bën pjesë edhe trajtimi i rasteve të kanosjeve të cilave iu keni referuar ju, por që nga personat të cilëve iu keni referuar nuk ka pasur raste të raportuara në ditët e fundit”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Policisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

As zyrtarë të qeverisë nuk kanë informacione për kërcënime eventuale. Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë se Kosovës, megjithatë për Radion Evropa e Lirë, është shprehur se kërcënimet eventuale janë të papranueshme të “rrezikshme dhe destabilizuese”

“Si qeveri konsiderojmë se ne jemi në proces e sipër për të përfunduar këtë çështje dhe pastaj janë kuvendarët që do të vendosin. Kuvendarët duhet të vendosin lirshëm duke u bazuar në ndërgjegjen e tyre lirshëm, duke i kalkuluar të gjitha informacionet që i kanë për të votuar për interesat e Kosovës, për interesat e qytetarëve. Është e vërteta, janë faktet ato që e mbrojnë Kosovën dhe interesat e Kosovës dhe në asnjë mënyrë kërcënimet të cilat konsiderojmë se janë të papranueshme”, thënë Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.

Gjatë procedimit të parë të Ligjit për Demarkacion, partitë në opozitë patën organizuar kundërshtime në Kuvend dhe në rrugë dhe ata edhe dy vjet më vonë kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin të njëjtat hapa për të parandaluar procesin.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se për çdo përshkallëzim, përgjegjësinë duhet ta merr Qeveria e Kosovës, e cila sipas saj, nuk po i merr parasysh vërejtjet e opozitës.

“Në qoftë se qeveria tenton që të riprocedojë marrëveshjen e njëjtë që është një mashtrim i radhës, atëherë ne do t'i përgjigjemi me konsistencë, kundërshtim, sikurse edhe në seancat e kaluara. Natyrisht që kjo do të prodhojë tensione në vend, por për këtë do të mbahet përgjegjëse qeveria e Mustafës”, ka thënë Haxhiu.

Projektligji për Demarkacion u tërhoq nga Kuvendi i Kosovës në verën e vitit të kaluar me arsyetimin e Qeverisë së Kosovës se i ‘duhet më shumë kohë për të arritur një pajtueshmëri të deputetëve për miratimin e tij’.

Ndërkohë, analistët në Kosovë thonë se procesi i miratimit të Demarkacionit është shndërruar në një betejë të ashpër politike.

Artan Muhaxhiri, analist politik, thotë se është e pritshme të ketë rritje të agresivitetit.

“Krahas kërcënimeve, për të cilat flasin disa deputetë, është edhe forma tjetër e presionit që përdoret ndaj deputetëve. Kohët e fundit, edhe disa deputetë kundërshtar të marrëveshjes aktuale me Malin e Zi, janë dëgjuar duke thënë se “ai që voton Demarkacionin, është tradhtar”.

Analisti Muhaxhiri thotë se konceptet “patriot dhe tradhtar” që po përdoren edhe nga disa deputet të opozitës, nuk janë përshtatshme për politikën e kohës në të cilat po jetojmë.

“Mirëpo, unë mendoj se ky është një gabim i madh, sepse në vend që të kemi një qasje racionale dhe të përafrimit të pozicioneve, ka kërcënime dhe shantazhe që janë të papranueshme për skenën politike”, ka thënë Muhaxhiri.

Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e nënshkruar me praninë ndërkombëtare në verën e vitit 2015, është kundërshtuar fuqishëm nga opozita në Kosovë dhe së fundi edhe nga një pjesë e deputetëve të koalicionit qeveritar.

Kryeministri Mustafa ka paralajmëruar se brenda ditësh qeveria do ta procedojë Marrëveshjen në Kuvend me qëllim të votimit të saj, duke i hapur rrugën, siç thotë, “liberalizimit të vizave për qytetarët”, një kusht ky i vendosur nga Komisioni Evropian që në muajin maj të vitit të kaluar për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE.

Kjo marrëveshje, përveç çështjes së shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, është përcaktuar nga Komisioni Evropian si kriter i pazëvendësueshëm që duhet ta plotësojë Kosova për t’u përfshirë në liberalizimin e vizave.