Arbëri

Në Llapnasellë serbët krijojnë tollovi në pritje për targat RKS

Qytetarë serbë në Llapnasellë, sot kanë krijuar tollovi para qendrës së regjistrimit në pritje të targave të përkohshme RKS.

Nga dje, veturat me targa të Serbisë, me të cilat kanë qarkulluar shumica e serbëve në vendbanimet me shumicë serbe, janë të ndaluara me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Portali “RadioKim” ka shkruar se qytetarët serbë nuk kanë pritur mirë këtë vendim, si masë reciprociteti ndaj Serbisë dhe se sipas tyre kjo “është maltretim”.

Po ashtu ky portal ka shkruar se targat e përkohshme kanë arritur në këtë qendër, porse “mungojnë udhëzimet se si të veprohet”.

Të hënë, Qeveria vendosi masë reciprociteti për targat e Serbisë, meqë njësoj vepron edhe Serbia për targat RKS kur futen në territorin e vendit fqinj.

Në veri, dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, janë bllokuar nga serbët lokalë, të pakënaqur me vendimin.