Arbëri

Vuçiq: Të tërhiqen të gjitha trupat nga veriu, të ulemi të bisedojmë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në mënyrë që Kosova e Serbia të kthehen në bisedime, duhet që situata në veri të Kosovës të kthehet siç ka qenë më herët, para vendimit të Qeverisë për zbatimin e reciprocitetit për targa.

Ai veprimin e autoriteteve të Kosovës për këtë masë në pikat kufitare, e ka cilësuar “veprim kriminal”.

Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Vuçiq ka thënë se ka marrë një propozim nga shtetet e fuqishme të botës por e ka refuzuar.

Vuçiq ka thënë se Serbia “do të vazhdojë të insistojë për paqe dhe siguri të serbëve”.

“Serbia është gjithmonë e gatshme të pranojë dialogun, por nuk do të pajtohet për veprime të njëanshme dhe në biseda me shtetet e forta të botës kam marrë një propozim se si do të mund të ishte një zgjidhje kompromisi, dhe e kam refuzuar sepse nuk është një kompromis, por poshtërim për Serbinë”, ka thënë ai në konferencën për media. “Zgjidhja e vetme është tërheqja e të gjitha trupave nga veriu i Kosovës, të kthehemi në situatën e mëhershme, e më pas mund të shkojmë e të bisedojmë”.

Vuçiqi ka kërkuar një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian, nëse marrëveshjet e Brukselit janë në fuqi apo jo. Ka thënë se për këtë do të presë muajin e ardhshëm e nëse s’merr përgjigje “është shenjë se marrëveshjet s’ezksitojnë”.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Masa nxiti reagimin e serbëve që me vetura e kamionë kanë bllokuar qe dy ditë rrugët në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri. Policia e Kosovës me njësi të shtuara është duke qëndruar në këtë zonë.