Arbëri

Mjeku i arrestuar në QKUK dyshohet se me histori të rreme e shpëtoi kryetarin e Kllokotit nga gjyqi

Descriptive Text

Një mjek është ndaluar për 48 orë pasi dyshohet të ketë keqpërdorur pozitën e tij. Prokuroria Speciale njoftoi të enjten se i arrestuari, dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Ndërkaq, KOHA merr vesh se i arrestuari, Bekim Ademi, kirurg vaskular në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, dyshohet se kishte hapur një histori të rreme në spital për një qytetar serb, i cili KOHA mëson se është kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq. Sipas burimeve, kjo dyshohet të jetë bërë me qëllimin që Dejanoviq ta përdorë “shtrirjen në spital” si arsyetim për t’iu shmangur daljes në gjykatë.

Madje, burimet kanë thënë se policia ka qëndruar në këtë repart për plot tre ditë. Siç ka mësuar KOHA, Ademi i kishte hapur historikun këtij serbi të dyshuar kinse është i spitalizuar në QKUK më 28 gusht për trombozë, por hetuesia ka dëshmi dhe e ka fotografuar ato ditë në kafiteri.

Me aktvendim të prokurorit i dyshuari B.A është dërguar në mbajtje për 48 orë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.