Arbëri

Milo: Shqipëria nuk është Edi Rama

Descriptive Text

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, u ka dhënë porosi politikanëve të Shqipërisë e Kosovës që të kenë kujdes me gjuhën e ashpër të përdorur mes vete, që sipas tij mund të çojë në mosmarrëveshje të thella.

Në Interaktiv të KTV-së, Milo ka thënë se mosmarrëveshjet mes të dyja shteteve nuk kanë një emër të përveçëm, se nuk është Shqipëria Edi Rama, ndërsa shtoi se dy vendet i bashkojnë interesa më të mëdha.

“Shqipëria nuk është Edi Rama, Edi Rama është përfaqësues i Shqipërisë në kontekstin zyrtar të qeverisjes së saj dhe nuk besoj se midis nesh edhe kur ka mosmarrëveshje dhe qasje të ndryshme duhet të përdorim gjuhë të ashpër që na dëmton shumë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse në vend që të vëmë vetulla, mund të nxjerrim sytë. Nuk na intereson edhe nëse një qeveri e jona, sepse qeveritë janë të shqiptarëve, edhe kur mendojmë se njëri e ka gabim, janë shumë të tjera që na bashkojnë. Për hir të një qëndrimi të ndryshëm, si është edhe kjo e Open Balkan, nuk duhet të mohojmë interesa të tjera të mëdha që na bashkojnë”, ka thënë Milo.

Milo ka thënë se gjuha e përdorur mund të jetë më dëmtuese se sa projekti i “Ballkanit të Hapur”.

“E kuptoj shqetësimin e shqiptarëve të Kosovës, por kam një porosi në kuptimin shumë miqësor që duhet të kujdesemi që me retorikën të mos kapërcejmë disa kufij midis nesh që mund të na dëmtojnë më shumë sesa një projekt siç është Open Balkan që nuk dihet se cili do të jetë fati i tij. Është shumë e rrezikshme të mbjellim midis nesh farën e mosmarrëveshjeve të thella dhe aq më keq të urrejtjes”.


Milo zgjedh Procesin e Berlinit para “Ballkanit të Hapur”

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ka zgjedhur Procesin e Berlinit para iniciativës së “Ballkanit të Hapur” si zgjidhje më të mirë për rajonin.

“Në qoftë se do të lejohesha të zgjidhja midis Procesit të Berlinit dhe ‘Ballkanit të Hapur’, do të zgjidhja Procesin e Berlinit sepse është gjithëpërfshirës për Ballkanin Perëndimor, janë brenda të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e Ballkani i Hapur tani ka vetëm tre vende e tri qeveri që kanë marrë përsipër të nxisin këtë proces, i cili në vetvete ka një pikëpyetje. Mund të jetë i dobishëm. Ka një bazë me katër liritë e BE-së për t’u zbatuar në Ballkanin Perëndimor, por për sa kohë që gjysma e vendeve kanë rezerva, nismëtarët e Ballkanit të Hapur duhet të jenë më të përmbajtur në hapat që hedhin”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së të enjten duke shtuar se këta liderë duhet të bindin se “s’ka prapavijë politike pas iniciativës e s’ka objektiva të përfolura për të kthyer ish-Federatën Jugosllave”.

Ai ka refuzuar të japë mendimin nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, apo ai i Kosovës, Albin Kurti, ka më shumë faj për raportet e fundit në mes dy shteteve.

Për ta ndryshuar Serbinë dhe mendimet e saj, Milo ka thënë se këtë mund ta bëjë vetëm “bashkimi i faktorit shqiptar”.

“Me bindje të plotë them se Serbia vetë s’do të mund të ndryshojë në qoftë se ne shqiptarët në rajon, dy shtetet nuk koordinohen e nuk shfaqen në politikën ndërkombëtare si dy shtete aktive, bashkëpunuese që ndihmojnë njëri tjetrin e janë bashkë... Vetëm faktori shqiptar me bashkëveprimin tonë do të bindë Serbinë të pranojë realitetet e krijuara dhe të pakthyeshme”, ka shtuar ai.