Arbëri

Lajçak vazhdon vizitën në Kosovë

I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojë edhe gjatë ditës së sotme takimet me krerë të institucioneve dhe me përfaqësues të bizneseve.

Takimin e parë Lajçak do ta zhvillojë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, që pritet të fillojë në orën 08:45.

Në orën 16:00, diplomati i BE-së do të takohet edhe me drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme Lajçak u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe më zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Kurti përmes një komunikate për media ka dhënë pak detaje rreth këtij takimi. Mbarëvajtja e procesit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të takimit.

Kurti riktheksoi se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë. U bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Kurti konfirmoi përkushtimin e Kosovës për agjendën e BE-së, dhe perspektivën evropiane të rajonit.