Arbëri

Nesër fillon periudha e votimit me postë, fushata fillon me 16 shtator

Nesër (e mërkurë) do të fillojë periudha e votimit me postë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Gjithë votuesit jashtë vendit do të kenë mundësinë që deri më 15 tetor të votojnë përmes postës.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Ndërkohë që në mbledhjen e sotme, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se fushata zgjedhore do të fillojë me 16 shtator dhe se nuk do të ketë shkurtim apo edhe shtyrje të fushatës.

Në këtë mbledhje KQZ-ja ka miratuar numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për zgjedhjet lokale.

Në ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor do të jenë në dispozicion 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime për kandidatët për kryetar të komunave, e njëjta do të jenë edhe për asambletë komunale.

Ani pse numri i qytetarëve që kanë të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë, KQZ ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,91 % dhe kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.