Arbëri

Zemaj kritikon Qeverinë: Nuk e ka pasur pandeminë prioritet

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e situatës me pandeminë. Sipas tij, Qeveria Kurti s’e ka pasur prioritet pandeminë.

Ai e ka kritikuar ministrin Arben Vitia për procesin e vaksinimit e për mosreagim në kohën kur rriteshin numrat e infektimeve.

“Po e fillojmë këtë sesion me situatë jo të mirë pandemike në Kosovë. Ajo çka është shqetësuese është humbja e jetës së qytetarëve tanë dhe ju shpreh ngushëllime familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre nga jeta nga COVID-19. Pa dallim moshe, gjinie e feje, Delta ka prekur të gjithë. Si ish-ministër duke pasur parasysh përvojën, kemi ngritur shqetësimet tona në muajin maj dhe qershor, në interesimin tonë që të tërheqim vërejtjen Qeverisë, MSH-së që s’janë të gatshëm për ta menaxhuar një situatë pandemike. Ajo që kemi pa dhe e prodhoi kjo situatë, rritja e madhe e numrit të vdekjeve dhe pasojat që vijnë pastaj. Menaxhim i distribuimit të dobët të vaksinave. Qeveria nuk e ka vendosur pandeminë si prioritet siç e ka paraqitur me marrjen e mandatit. Qeveria Kurti e ka krijuar një pasqyrë që pandemia ka përfunduar në Kosovë. Në kohën kur numri i infeksioneve rritej, masat nuk kanë qenë për ta parandaluar. Kanë larguar mbikëqyrjen e stafin shëndetësor të angazhuar në klinika”, ka thënë Zemaj që po e udhëheq mbledhjen.

Ai ka shtuar se duhet të ftohet MSH-ja të raportojë para deputetëve “sepse e ka obligim të raportojë pse kanë ardhur në këtë gjendje, dhe cilat janë veprimet”.