Arbëri

Salihu: Me shtyrjen e zgjedhjeve, presidentja shkel Kushtetutën

Bekim Salihu, nga Instituti GAP, vlerëson se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, rrezikon të shkelë rëndë Kushtetutën në rast se merr vendim për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të parapara për 17 tetor.

Salihu në një intervistë në emisionin e ri të KTV-së “60 Minuta”, tha se Osmani nuk ka asnjë bazë ligjore për shtyrje të zgjedhjeve.

“Nëse presidentja futet, të them kështu, në këtë aventurë, atëherë rrezikon të bëhet shkelëse e rëndë e Kushtetutës. Nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë. Edhe me Kushtetutë, neni 131, përcakton qartë se Ligji për zgjedhjet lokale dhe ai për zgjedhje nacionale, nuk mund të suprimohen as në gjendje të jashtëzakonshme. Pra, as në gjendje të jashtëzakonshme, gjë që ne nuk jemi në këtë situatë”, ka thënë Salihu.

Presidentja për sot ka thirrur përfaqësuesit e partive dhe temë pritet të jenë pikërisht zgjedhjet. Sipas tij, presidentja ishte e paqartë në ftesën e saj.

“Unë nuk di as se si i janë përgjigjur partitë ftesës së presidentes. Ishte e paqartë”, tha ai.

Salihu u shpreh se në rast se vendoset për shtyrje të zgjedhjeve, presidentja do të shihet qartë se anon nga partia në pushtet.

“Të gjitha partitë opozitare janë kundër dhe çdo vendim i presidentes duhet të bazohet në konsensusin e partive. Vetëm partia në pushtet mund të jetë për shtyrje të zgjedhjeve, mbase pasi po bën sondazhe e nuk po del mirë dhe kërkon më shumë kohë për t’u organizuar”, tha Salihu.