Arbëri

Instituti EdGuard: Vendimi për shtyrjen e procesit mësimor është marrë me nguti

Instituti EdGuard thotë se vendimi i Qeverisë për shtyrje të fillimit të procesit mësimor dhe ndërprerjen e procesit parashkollor është marrë me nguti.

EdGuard vlerëson që vendime si ky nevojiten të mirë argumentohen. Sipas këtij Instituti moskomunikimi i hapur me komunitetin e shkollës është duke shkaktuar hamendësim dhe shqetësim që lehtë mund të kthehet në hezitim për rikthim.

“Cili është niveli i infeksionit tek fëmijët; cili është niveli i fatalitetit nga virusi mes fëmijëve; cili është niveli i transmetimit të virusit në komunitetin e shkollës?! Nëse shqetësimi institucional është në mungesë të kapaciteteve spitalore atëherë reagimi duhet të jetë në rritje të kapaciteteve jo në mbyllje të shkollave”, thuhet në reagim.

EdGuard ka ftuar që përkushtimi institucional të jetë mësimi në shkolla, evidenca është e qartë, periudha jashtë shkollës për nxënës ka ndikim shumë të madh në arritjet në mësim; shëndetin mendor dhe fizik.

“Ende nuk ka dëshmi që rreziku nga virusi për fëmijë në shkollë është më i madh sesa dëmi afatgjatë nga mos prezenca në shkollë”, theksohet në reagim.

Rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të shëndetit publik si “WHO”, “CDC”, dhe “ECDC” promovojnë rikthimin në shkolla - në linjë me këtë vlerësojmë që duhet të jenë edhe vendimet e qeverisë.