Arbëri

Policia Ushtarake me autorizim edhe mbi subjektet ushtarake e civile ndërkombëtare

Ministria e Mbrojtjes ka finalizuar një projektligj, në bazë të të cilit parashihet që Policia Ushtarake t’i zbatojë autorizimet e saj edhe në raport me ushtritë dhe me misionet e huaja që veprojnë në Kosovë. Ekspertët e sigurisë thonë të jetë e papranueshme kjo dispozitë e projektligjet, e edhe të tjera që përmbajnë autorizime mbi civilët. Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë refuzuar të flasin për përmbajtjen e Projektligjit

Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë është në rrugë për të siguruar detyra të reja. Ministria e Mbrojtjes ka finalizuar një projektligj, në bazë të të cilit parashihet që autorizimet e veta kjo polici t’i zbatojë edhe në raport me ushtritë dhe me misionet e huaja që veprojnë në Kosovë.

“Policia Ushtarake autoritetin e saj e ushtron mbi të gjitha subjektet ushtarake e civile, vendore dhe të huaja, me ose pa shtetësi, të cilat me veprimet e tyre cenojnë veprimtarinë e Forcës së Sigurisë të Kosovës brenda e jashtë vendit dhe mbështetet në dispozitat e këtij ligji dhe në legjislacionin në fuqi”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 7 të Projektligjit.

KFOR-i zhvillon aktivitet ushtarak në Kosovë, ndërsa, ndonëse me mandat të reduktuar, EULEX-i vazhdon të jetë reagues i dytë në fushën e sigurisë.

Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë, thotë të jetë e papranueshme kjo dispozitë e Projektligjit.

“Në bazë të asaj që e pashë unë, ka shumë çështje që janë të paakceptueshme, të papranueshme”, thotë Ibishi. “Është sovraniteti i deleguar te prania ndërkombëtare ushtarake. Ata e kanë policinë ushtarake, KFOR-i në Kosovë, gjegjësisht NATO, dhe është e paakceptueshme tash që polici ushtarak të ndërmarrë veprime ndaj dikujt tjetër”.

Dispozitat e reja janë në konflikt edhe me Ligjin për imunitetin diplomatik. Me të, personeli ndërkombëtar i misioneve gëzon imunitet ndaj bastisjeve, arrestimit apo paraburgimit. Aty theksohet se bagazhi i tyre personal i nënshtrohet kontrollit vetëm nëse ka arsye serioze për të dyshuar që mund të përmbajë artikuj, importimi apo eksportimi i të cilëve ndalohet me ligjin e zbatueshëm në Kosovë dhe se kontrollimet e tilla bëhen vetëm në prani të zyrtarit diplomatik ose të një përfaqësuesi të emëruar nga ai.

“Personeli i misioneve përveç personelit të punësuar vendor, bashkë me anëtarët e familjeve të tyre që i shoqërojnë ata, gëzojnë imunitet nga juridiksioni penal në Republikën e Kosovës. Ata, po ashtu, gëzojnë imunitet ndaj gjithë juridiksionit civil apo administrativ në Republikën e Kosovës, përveç në rastet e ndonjë veprimi juridiko-civil që ka të bëjë me: a) pronën private të patundshme në Republikën e Kosovës që e posedon zyrtari diplomatik në cilësi personale që nuk është e lidhur me funksionet e tij zyrtare; b) trashëgiminë ku zyrtari diplomatik në të cilën ai përfshihet si ekzekutues, administrator ose trashëgimtar në cilësi personale jashtë funksioneve të veta zyrtare; c) ndonjë aktivitet profesional apo ekonomik të ndërmarrë nga zyrtari diplomatik brenda Republikës së Kosovës në cilësi personale jashtë funksioneve të tij zyrtare”, thuhet në Ligjin që garanton imunitet për misionet e huaja.

E në bazë të Projektligjit për Policinë Ushtarake, kjo do të ketë autorizime edhe mbi civilë.

Për kryerjen e detyrave të saj do të ketë autorizim: Të kryejë kontroll të sigurisë, në: kontrollin e personave, dokumenteve, të mjeteve të transportit, bagazheve, objekteve dhe hapësirave; Të rregullojë trafikun dhe të shqiptojë gjoba të trafikut sipas legjislacionit në fuqi; Të përdorë sinjalistikën emergjente për lëvizje në trafik; Të kufizojë lëvizjen, të ndalojë, të arrestojë dhe të shoqërojë persona; Të përdorë forcën dhe mjete shtrënguese; Të identifikojë dhe të verifikojë persona dhe mjete/pajisje; Të bëjë identifikimin e personave të cilët përdorin/bartin uniforma apo pjesë të uniformës, shenja/simbole apo mjete të ngjashme me ato të FSK-së, pavarësisht nga vendndodhja e tyre; Të mbledhë, të vlerësojë, të ruajë dhe të procedojë të dhëna dhe informacione lidhur me shkeljet e dyshuara; Të kryejë veprime për parandalimin dhe hetimin e veprimeve kundërligjore - sipas procedurave të KPPK-së; Të bëjë sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, mjeteve/pajisjeve; Të bëjë sigurimin e sendeve/objekteve, lokacioneve/zonave, vendngjarjes, provave dhe dëshmive; Të bëjë mbrojtjen e personave, objekteve dhe zonave me rëndësi të veçantë; Të bëjë mbrojtjen e viktimave dhe personave të tjerë; Të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit dhe sigurisë; Të kryejë detyra të tjera në kuadër të misionit të FSK-së, konform urdhëresave të marra nga zinxhiri komandues; Të përdorë pronën e personave të tretë në rrethana urgjente.

Nuredin Ibishi ka qenë kryesues i grupit të punës për Policinë e Kosovës dhe alarmon se një pjesë e autorizimeve që Policisë Ushtarake i përshkruhen në Projektligj, cenojnë të drejtat e njeriut.

“Janë çështje shumë të ndjeshme që kapin të drejtat e njeriut. Atë edhe Policia e Kosovës kur të ndërmarrë detyra të caktuara... ajo duhet ta lajmërojë prokurorin publik. Këtu nuk ceket fare”, thotë ai. “Ky ligj është i punuar nga diletantë, në kuptimin e asaj se nuk ka profesionalizëm në të. Do të duhej të kihej kujdes, sidomos në çështje që kapin spektrin e të drejtave të njeriut dhe të përdorimit të autorizimeve jashtë stafit të ushtarakëve, ushtarëve të FSK-së”.

Në Ministrinë e Mbrojtjes, prej një jave, nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me përmbajtjen e Projektligjit.

Dokumenti që ka nxitur reagimet e para, pas procesit të konsultimit publik, do të kalojë në Qeveri, e më pas për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.