Arbëri

Salla “1 Tetori” hiqet, Fakulteti i Edukimit shtohet si vendvotim

Descriptive Text

Prishtinë, 12 shtator - Salla “1 Tetori” në Prishtinë, që është një prej qendrave më të mëdha të votimit, që nga marsi i këtij viti po shërben si qendër vaksinimi kundër COVID-19.

Njëjtë do të vazhdojë të mbetet edhe më tutje, përfshirë edhe të dielën e 17 tetorit, për kur janë paraparë të mbahen zgjedhjet lokale.

Personat që kanë shfrytëzuar për votim këtë sallë, do të votojnë në qendra të tjera, me shumë mundësi, në një nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës.

Në një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë është thënë se palestra “1 Tetori” është i vetmi vendvotim në Kosovë që është kthyer në qendër vaksinimi dhe se për zëvendësimin e saj Komisioni Qendror Zgjedhor do të bëjë zgjidhje.

“MSH-ja ka kthyer në qendër vaksinimi vetëm një vendvotim, vetëm sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë. Për ‘1 Tetori’, KQZ-ja do të gjejë zëvendësim, duke caktuar një qendër tjetër”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka treguar nëse ka edhe vendvotime të tjera në Kosovë që janë kthyer në qendra vaksinimi dhe se a ka gjetur zgjidhje për to.

KOHA merr vesh që Fakulteti i Edukimit në Prishtinë pritet që të kthehet në vendvotim ditën e zgjedhjeve për ta zëvendësuar sallën “1 Tetori”.

Sipas burimit të KOHËS, qendrat e vaksinimit janë vendosur edhe në dy qendra votimi në Klinë e Istog, porse ato nuk do të zhvendosen meqë vendi ku kryhet vaksinimi dhe votimi kanë hyrje të ndara.

Salla “1 Tetori” deri më tash ka shërbyer edhe si depo për materialin e ndjeshëm të KQZ-së, i cili tash do të zhvendoset në Sallën Sportive të Fakultetit të Sporteve.

Për shfrytëzimin e këtyre dy godinave të Universitetit të Prishtinës, KQZ-ja duhet të marrë leje nga UP-ja.