Arbëri

Kurti për sulmet e 11 shtatorit: Kosova bashkëndjen me SHBA-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti përmes një statusi në Facebook ka përshkruar momentin kur kanë ndodhur sulmet, e kur ai ishte ende në burg në Serbi.

“I gjithë burgu i Quprisë në Serbi ushtoi nga thirrjet e ekzaltimit dhe çirrjet e delirit të gardianëve. Mendova mos kishin shënuar Jugosllavia ose Cërvena Zvezda në ndonjë ndeshje sportive. Mirëpo jo. Aeroplanët e marrë peng kishin qëlluar dhe rrënuar kullat binjake në Nju Jork. Pasditja e zymtë e burgut u bë ditë e zezë e 11 shtatorit 2001. I kisha kaluar 2 vjet e 4 muaj e gjysmë nga 15 vjet burg sa më patën dënuar”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se sulmet në SHBA ndryshuan rrjedhën e historisë dhe se Kosova bashkëndjen me SHBA-në si aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës.

“Këto sulme terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndryshuan rrjedhën e historisë dhe kuptimin e kësaj date, e cila do të jetë përgjithmonë përkujtim i jetëve të humbura, por edhe i rëndësisë së guximit dhe trimërisë përballë fatkeqësive. Sot përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve, nderojmë, me dhembje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan. Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe i pazëvendësueshëm i Kosovës”, ka përfunduar Kurti.