Arbëri

Tragjedia në Tetovë: 14 të vdekur e 17 të lënduar

Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie në të gjithë territorin e saj, pas zjarrit që përfshiu të mërkurën mbrëma Spitalin modular, ku trajtoheshin pacientët me Covid, me ç’rast 14 pacientë mbetën të vdekur. Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, paralajmëroi ndihmë financiare për familjet e viktimave. E presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka bërë të ditur se është thirrur edhe ekspertiza e jashtme që do të ndihmojë në zbardhjen e rastit.

Hospitalizimi pas infektimit me koronavirus iu kushtoi me jetë dhjetëra personave në Maqedoni.

Identifikimi i vështirë i viktimave nga zjarri që bëri shkrumb spitalin e improvizuar ka bërë që edhe të mos dihet përfundimisht numri i saktë i viktimave.

Ndonëse thonë se janë 14 deri më tani, institucionet përkatëse dyshojnë se ky numër do të jetë edhe më i lartë.

I tëri i djegur është gjendja e objektit i cili deri një natë më parë ka shërbyer si qendër për trajtimin e personave me COVID-19 në Tetovë. Rrethanat e zjarrit që kapluan këtë qendër janë ende të paqarta derisa për zbardhjen e tyre pritet të angazhohen edhe ekspertë ndërkombëtarë.

Qytetarët e Tetovës janë të tronditur nga shpërthimi dhe djegia që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës.

Në vendin e ngjarjes, pasditen e së enjtes ishte edhe presidenti Stevo Pendarovski, i cili tha se deri tani nuk ka ndonjë shenjë se zjarri mund të jetë i qëllimshëm.

Pendarovski ishte i bindur se e vërteta e asaj që ka ndodhur do të mësohet së shpejti.

“Ajo që di është se ka qenë e mbushur dhe ka pasur 26 persona, por në atë moment ka pasur 3 ose 4 mjekë dhe nuk dihet nëse edhe ata janë në mesin e këtyre 14 viktimave. Besojmë që sot, maksimum deri nesër, do të përfundojë obduksioni dhe do të verifikohet identiteti dhe shkaqet e vdekjes konkretisht edhe kush janë këta njerëz sepse ende nuk e dimë një gjë të tillë”, ka deklaruar ai.

Hetime për ngjarjen kanë kërkuar edhe nga Qeveria e Maqedonisë.

Në pritje të zbardhjes së rastit janë edhe familjarët e viktimave derisa fajësuan institucionet maqedonase për situatën.

Kritika ndaj institucioneve kishte edhe Arianit Xhaferi nga shoqëria civile

Në nderim te viktimave të këtij rasti Komuna e Tetovës ka shpallur tri ditë zie.