Arbëri

Prej ditësh, Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë pa zot shtëpie

Për disa ditë me radhë, Ministria e Punëve të Jashtme ka funksionuar pa kryediplomaten dhe zëvendësministrat. Burime të KOHËS treguan se përpos që ministrja Donika Gërvalla ndodhet në karantinë në Gjermani, ka rreth dy javë që në zyre nuk është paraqitur as zëvendësministrja Liza Gashi. E, Ministria ka mbetur pa ndonjë drejtues politik prej kur zëvendësministri tjetër, Kreshnik Ahmeti, ka shkuar për vizitë në Shtetet e Bashkuara. Gashi është kthyer të mërkurën në ministri, një ditë pasi KOHA ka pyetur mbi arsyet e mungesës së saj

Prej ditësh, Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë pa zot shtëpie. Burime të KOHËS treguan se përpos që ministrja Donika Gërvalla ndodhet në karantinë në Gjermani, ka rreth dy javë që në zyre nuk është paraqitur as zëvendësministrja Liza Gashi.

E, Ministria ka mbetur pa ndonjë drejtues politik prej kur zëvendësministri tjetër, Kreshnik Ahmeti, ka shkuar për vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Të martën KOHA ka adresuar pyetje në Ministri mbi arsyet e kësaj mungese të njëkohshme, por prej dy ditësh nuk ka pranuar përgjigje.

E, burimet treguan se një ditë pas adresimit të pyetjeve, zëvendësministrja Liza Gashi është paraqitur në Ministri. Vetë ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve mbi arsyet e mungesës.

E, arsyetimin për qëndrimin në Gjermani e ka dhënë ministrja Gërvalla, në një postim në profilin e saj në Facebook. Ajo ka thënë se ndodhet në ditët e fundit të karantinës si pasojë e infektimit me koronavirus, porse punët nuk i ka lënë keq.

“Teknologjia bën të mundur kryerjen e shumicës së detyrave edhe nga distanca dhe, prandaj, edhe gjatë karantinës kam shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar ndër të tjera edhe biseda të shumta të rëndësishme me kolegë nga e gjithë bota”, ka shkruar ministrja Gërvalla.

Mbi arsyet e mungesës në zyre ka folur vetëm zëvendësministri Kreshnik Ahmeti. Ai ka thënë se vizita përtej Atlantikut ka karakter zyrtar.

“Në SHBA kam arritur më 6 shtator dhe përgjatë vizitës zyrtare do të takohem me zyrtarë të administratës shtetërore, në shërbim të fuqizimit të mëtutjeshëm të raporteve tona bilaterale”, ka thënë Ahmeti dhe ka shtuar: “Vizitën zyrtare do ta përfundoj më 9 shtator”.

Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë ndër dikasteret qeveritare më të kritikuara në këtë mandat. Së fundmi, kritikat janë bërë për kthimin e 12 ambasadorëve në Kosovë, ende pa i kryer procedurat e emërimit të të rinjve.