Arbëri

Grenell kritikon Bidenin në 1-vjetorin e marrëveshjes “së dështuar”

Descriptive Text

Ish i dërguari i ish-presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka vazhduar ta quajë historike atë që është arritur një vit më parë në Washington.

Ai në një tekst autorial për webfaqen “Federalist”, të titulluar “Një vit më vonë, Bideni shpërdoron negociatat historike të Trumpit Kosovë-Serbi”, ka shkruar për Marrëveshjen e Washingtonit, të firmosur më 4 shtator 2020, e që tash shënoi 1-vjetorin.

Sipas tij, bota mirëpriti atë marrëveshje, por jo edhe Bideni. Në fakt ishin zotime të ndara të palëve e thuajse asnjë nga ato nuk është përmbushur.

"Vizioni i Trumpit për Kosovën e Serbinë ishte të normalizonte marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe të ndihmonte në rigjallërimin e plotë të Ballkanit. Presidenti Trump besonte se konflikti ndikon në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik. Ai gjithashtu besoni se strategjia e vazhdueshme politike e BE-së nuk funksionoi”, tha Grenell.

Pak muaj pas kësaj Marrëveshje, Shtëpia e Bardhë fitoi një shef të ri – Joe Bidenin. Donald Trump humbi zgjedhjet për president të SHBA-së, me këtë edhe Grenell u largua nga skena e madhe.

Sipas tij, administrata Biden po mban qëndrim që shkon në dëm të Ballkanit.

"Presidenti Biden vazhdon të injorojë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe gjithë rajonin. Ka vendosur thjesht të mos ndërhyjë. Nuk ka asnjë të dërguar presidencial për negociata dhe asnjë diskutim e plan për rajonin në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ka asnjë vizitë të planifikuar të zyrtarëve të lartë amerikanë, as ndonjë datë për mbërritjen e udhëheqësve ballkanikë në Washington”, tha Grenell.

Ai thotë se me heshtjen e Bidenit, negociatat u kthyen në Bruksel.