Arbëri

Donlon: Mbrojtja e dëshmitarëve prioriteti kryesor i Gjykatës

Mbrojtja e dëshmitarëve, si dhe mbështetja e dëshmitarëve, është prioritet kryesor për Gjykatën, ka thënë administratorja e Gjykatës Speciale, Fidelma Donlon, në një intervistë për KOHËN. Ndërsa ka shpjeguar rolin e administratës në këtë institucion, ajo ka garantuar qytetarët se nuk do të zbulohet identiteti i tyre. Për procedurat e vizitës së të akuzuarve, ajo ka treguar se deri tash janë realizuar 30 sosh nga familjarët e të paraburgosurve. Donlon, në intervistë, ka shpjeguar edhe procesin e aplikimit të viktimave që pretendojnë se janë dëmtuar direkt nga të akuzuarit në Hagë dhe arsyen e refuzimit të disa prej tyre. Sipas saj, këta persona nuk kanë dhënë dëshmi të mjaftueshme se direkt janë viktima të krimeve të supozuara nga Specialja.

KOHA: Znj. Donlon mirësevini në programin tonë!

Donlon: Faleminderit shumë! Është kënaqësi të jem me ju!

KOHA: Do të doja ta filloja këtë intervistë me atë që konsiderohet një sfidë, një sfidë e madhe në të vërtetë. Dhe ky është bashkëpunimi i Kosovës, institucioneve të saj dhe qytetarëve të saj. A jeni të kënaqur?

Donlon: Në të vërtetë, siç mund ta dini në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ekziston një dispozitë që parashikon që të gjitha autoritetet në Kosovë do të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfundimisht, mund të keni parë që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar publikisht se gjatë arrestimeve të ndodhura, Policia e Kosovë i ka mbështetur këto operacione. Dhe këto operacione shkuan shumë, shumë mirë. Përveç kësaj, siç mund ta dini, në Zyrën e Dhomave të Specializuara ekziston Zyra e Mbrojtjes, dhe Zyra e Mbrojtjes është përgjegjëse me mua si administratore për skemën e ndihmës juridike të gjykatës. Në këtë drejtim, Zyra e Mbrojtjes ka pasur disa komunikime me zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Drejtësisë.

KOHA: Por me qytetarët?

Donlon: Nëse mund të zgjeroheni pak në këtë...

KOHA: Sa kërkesa keni marrë deri tani, për shembull, nga viktimat?

Donlon: Në lidhje me viktimat, pjesëmarrjen e viktimave, gjykata ka qenë shumë e fokusuar që nga fillimi. Pra, që nga viti 2016, në komunikim me publikun, jo vetëm për të shpjeguar mandatin tonë, por edhe për të arritur te njerëzit për t'u siguruar që ata e kuptojnë se nëse ata kanë qenë persona që janë dëmtuar nga një krim që supozohet se është kryer, ata mund të aplikojnë për të marrë pjesë në procedurat para gjykatës. Kështu që ekipi ynë në terren së bashku me Zyrën tonë të Pjesëmarrjes së Viktimave kanë bërë punë të konsiderueshme, do të thosha këtu në Kosovë për të arritur dhe për të informuar njerëzit për të drejtat e tyre. Tani, ajo që ne shohim deri më tani në vendimet e gjykatës është se në rastin Thaçi dhe të tjerët, nëntë individëve u është dhënë statusi i viktimave pjesëmarrëse në procedura.

Po kështu, në rastin Mustafa, nëntë individëve të tjerë u është dhënë statusi i viktimave pjesëmarrëse. Por ajo që mendoj se është e rëndësishme të thuhet është se procesi për të aplikuar si viktimë pjesëmarrëse është ende i hapur. Pra, ne do të shohim ndërsa procedurat zhvillohen numrin e personave të cilëve do t’u jepet ky status.

KOHA: Si i identifikoni viktimat? A ka ndonjë procedurë të veçantë?

Donlon: Është një procedurë për këtë. Brenda Zyrës Administrative ekziston Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave. Gjykata ka zhvilluar një formë të shkurtër aplikimi për personat që kanë pësuar dëmtime të drejtpërdrejta si rezultat i krimeve të supozuara që janë të përshkruara në aktakuza. Pra, përveçqë të identifikojmë viktimat, përsëri, fokusi ynë është të komunikojmë dhe t'u shpjegojmë njerëzve se cilat janë të drejtat e tyre. Dhe pastaj nëse ata zgjedhin të aplikojnë, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave do t'i përgjigjet çdo pyetjeje që ka dikush dhe gjithashtu nëse njerëzit kanë nevojë për ndihmë për të plotësuar formularin, ata janë aty për të ndihmuar.

KOHA: Por si i verifikoni informatat që i pranoni nga viktimat?

Donlon: Në lidhje me verifikimin e informacionit, unë përsëri do të kthehem te Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave, e cila luan një rol shumë të rëndësishëm në lidhje me mbështetjen e gjyqtarëve në gjykatë. Pra, kur një individ plotëson një formular aplikimi, ai formular i paraqitet Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave. Pastaj Zyra e Pjesëmarrjes së viktimës është e mandatuar me ligj dhe Rregulloren e Procedurës dhe Provave për t'i bërë rekomandime gjyqtarit ose panelit të gjyqtarëve nëse atij individi duhet t'i jepet statusi i viktimës pjesëmarrëse. Tani ne e kemi parë, në vendimet e fundit të gjyqtarit të procedurës paraprake, se për t'iu dhënë statusi -viktimë pjesëmarrëse, duhet të vërtetohet, duhet të ketë dëshmi ‘prima facie’ që personi është dëmtuar drejtpërdrejt dhe se dëmi është rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve që pretendohet se janë kryer. Pra, ky është procesi i verifikimit. Por në fund të fundit, i takon gjyqtarit ose një trupi gjykues të vendosë nëse ka prova ‘prima facie’ para tyre, të përfshira në formularin e aplikimit, për shembull, që një personi t'i jepet statusi i viktimës.

KOHA: Dhe, a keni hasur në raste kur viktimat kanë dhënë dëshmi të pakompletuara?

Donlon: Po. Për dëshmi jo të plota, përsëri, kjo është e përfshirë në vendime publike. Në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, janë tetë individë që aplikuan për statusin e viktimës pjesëmarrëse. Gjyqtari i Procedurës Paraprake gjeti se nuk kishte prova prima facie, sepse nuk ishte lidhja e drejtpërdrejtë me krimet e supozuara që janë të përfshira në aktakuzë.

KOHA: A mund të kenë të paraburgosurit kontakt me njëri-tjetrin?

Donlon: Po, si një çështje e përgjithshme, të burgosurit mund të kenë kontakte me njëri-tjetrin si për shembull për rekreacion dhe aktivitete sportive. Gjithashtu ata nëse dëshirojnë mund të ushqehen së bashku, pastaj në zonën e përgjithshme të rekreacionit mund të takohen me njëri-tjetrin dhe kalojnë kohë me njëri-tjetrin.

KOHA: Cilat janë arsyet që dëshmitë e dëshmitarëve mund të anonimizohen?

Donlon: Faleminderit për pyetjen! Është pyetje jashtëzakonisht e rëndësishme për dëshmitarët. Pra, Rregullorja e Procedurës dhe Provave dhe ligji parashikojnë që një gjyqtar ose një trup gjykues mund të urdhërojnë masa mbrojtëse gjyqësore. Ata mund ta bëjnë këtë proprio motu... Pra kjo nënkupton me vetiniciativë apo edhe në mënyrë alternative nëse mbrojtja ose prokuroria apo Zyra për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve ose përfaqësuesi i viktimave kërkojnë nga paneli (v.j gjyqësor) masa mbrojtëse, gjyqtarët mund të vendosin ta bëjnë një gjë të tillë. Si çështje e përgjithshme ata do të aprovojnë masa mbrojtëse për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien psikologjike e privatësinë e një dëshmitari.

Ju përmendet anonimitetin. Në Rregulloren e Procedurës dhe Provave, të cilat janë miratuar nga gjyqtarët e gjykatës, një nga masat është përdorimi i pseudonimeve. Pra, kjo është një masë që mbron identitetin e individit. Dhe shpesh, në gjykime, ne shohim përdorimin e ndryshimit të pamjes ose të zërit, dhe kjo mund të jetë një masë që është urdhëruar për të mbrojtur dëshmitarin nga një perspektivë sigurie, por edhe nga perspektiva e privatësisë.

KOHA: Sa vizita të familjarëve të të akuzuarve janë realizuar deri tani?

Donlon: Sa u përket vizitave me anëtarët e familjes, siç e dinë të gjithë, ne kemi pasur një periudhë shumë të vështirë me pandeminë. Pra, duhej të arrihej balanci, siguria e të gjithë të burgosurve, e në të njëjtën kohë jemi siguruar që ata të kishin kontakte kuptimplotë me familjet e tyre. Kështu që gjatë pandemisë unë lëshova një udhëzim sipas të cilit ata mund të kishin videotakime. Fatmirësisht, gjatë muajve të verës ka pasur përparim me programin e vaksinimit. Dhe si pasojë, më 15 korrik, isha jashtëzakonisht e lumtur që bazuar në këshillat mjekësore u mundësuan vizitat fizike personale nga anëtarët e ngushtë të familjes. Pra, që nga ajo kohë, kushdo që ka kërkuar një vizitë ka pasur vizitë dhe më shumë se 30 anëtarë të ngushtë të familjeve kanë qenë për të vizituar të paraburgosurit.

KOHA: A mund ta siguroni publikun në Kosovë dhe dëshmitarët se integriteti i procesit të hetimeve nuk do të cenohet nga rrjedhja e dokumenteve?

Donlon: Gjëja e parë që kam për të thënë, e cila është shumë e rëndësishme, është sigurisht që Dhomat e Specializuara janë një institucion i veçantë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Pra, në lidhje me çdo hetim, kjo është përgjegjësia kryesore e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe jo përgjegjësia ime si administratore. Ajo që unë do të doja të thosha është si një çështje e përgjithshme, në aspektin e gjykatave, ne kemi qenë jashtëzakonisht të fokusuar edhe për sa i përket mënyrës se si i klasifikojmë dhe menaxhojmë dokumentet tona. Kështu që ne kemi një ekip të veçantë dhe ekip udhëheqës të informacionit që më kanë këshilluar ndër vite në lidhje me mënyrën se si i klasifikojmë dokumentet tona, dhe si pasojë e atij klasifikimi, si t’i menaxhojmë ato dokumente. Pra, po, do të doja të siguroja publikun se ne në gjykatë e marrim menaxhimin e dokumenteve jashtëzakonisht seriozisht. Por gjithashtu kemi një vigjilencë të madhe në zbatimin e masave që kemi në dispozicion për të menaxhuar dokumentet tona konfidenciale publike dhe ato rreptësishtë konfidenciale.

KOHA: A jep institucioni juaj siguri që identiteti i dëshmitarëve nuk do të ekspozohet?

Donlon: Pra edhe një herë, identiteti i dëshmitarëve... Pa dyshim, ne do të kemi dëshmitarë që do të dëshmojnë publikisht. Pra, nëse shikojmë drejt dëshmitarëve të cilët, për shembull, siç e shpjegova, mund t'i nënshtrohen urdhrit gjyqësor, dhe u jepet një pseudonim, dhe ato dokumente shënjezohen si konfidenciale. Pra, nëse ka një urdhër gjyqësor që një dokument është konfidencial, ai menaxhohet vetëm nga personat e autorizuar të cilët mund të kenë qasje në atë dokumentacion. Dhe vetëm gjyqtari mund të vendosë që ai informacion konfidencial të bëhet ndonjëherë publik. Kështu që unë dua të them se mbrojtja e dëshmitarëve, si dhe mbështetja e dëshmitarëve është diçka që është prioritet kryesor për gjykatën. Ka qenë dhe do të mbetet prioriteti kryesore për gjykatën. Pra, të gjitha ekipet tona janë jashtëzakonisht të fokusuara në menaxhimin korrekt të dokumenteve dhe procedurave për të siguruar që asnjë identitet i ndonjë dëshmitari që nuk duhet të jetë në arenën publike, nuk do të jetë në arenën publike.

KOHA: A mund të na jepni më shumë detaje se si funksionon Zyra e Mbrojtjes?

Donlon: Siç mund ta dini, një nga të drejtat themelore, që është e drejta e gjykimit të drejtë, është e drejta e të dyshuarve dhe të akuzuarve për përfaqësim ligjor efektiv sipas zgjedhjes së tyre. Ligji parashikon një Zyrë Mbrojtëse brenda Zyrës Administrative që menaxhon një numër funksionesh shumë të rëndësishme, përfshirë administrimin e listës së këshilltarëve ligjorë (mbrojtësve), si dhe nën përgjegjësinë time administrimin e skemës sonë të ndihmës juridike. Së pari, disa fjalë lidhur me menaxhimin e listës së mbrojtësve.

Nëse avokatët mbrojtës do të duan të përfaqësojnë individë para Dhomave të Specializuara, ata duhet të aplikojnë në Zyrën e Mbrojtjes, duke përcaktuar kualifikimet e tyre profesionale. Kështu që Zyra për Mbrojtje verifikon gjithçka që është paraqitur për të më këshilluar mua nëse individi i plotëson kualifikimet profesionale që gjendën në direktivën për caktimin e mbrojtësit dhe nëse i plotësojnë, ata do të pranohen në listën e mbrojtësve.

Kështu për shembull, mbrojtësi specialist kryesor kërkon një përvojë minimale prej 10 vjetësh në zbatimin e ligjit të brendshëm ose ligjit ndërkombëtar, ndërsa bashkë-mbrojtësi të paktën një përvojë prej shtatë vjetësh.

Një funksion tjetër shumë i rëndësishëm që menaxhon Zyra për Mbrojtje është administrimi i skemës së Ndihmës Juridike. Unë kam miratuar rregulloren e Ndihmës Juridike në shtator të vitit 2020. Rregullorja ofron praktikat më të mira në menaxhimin e përgjithshëm të skemave të Ndihmës Juridike për të siguruar që çdo person i akuzuar që nuk ka mjete për të paguar për mbrojtjen e tyre mund të aplikojnë në gjykatë për ndihmë juridike.

Tani, roli i Zyrës për Mbrojtje në këtë proces është që të na informojë për të ardhurat e individëve, kështu që ne mund të vlerësojmë nëse ata janë në gjendje të paguajnë plotësisht ose pjesërisht për ekipin e tyre mbrojtës. Nëse jo, atëherë Zyra për Mbrojtje do të më këshillojë edhe një herë mua si administratore që individi duhet të marrë ndihmë juridike.

Dua të them gjithashtu se me fillimin e procedurave, Zyra e Mbrojtjes luan një rol mbështetës shumë të rëndësishëm për të gjitha ekipet e mbrojtjes. Pra, në ambientet tona në Hagë, ne kemi zyrë për ekipet e mbrojtjes. Ne gjithashtu kemi krijuar një sistem të sigurt elektronik për të lejuar ekipet e mbrojtjes të ndajnë me të paraburgosurit dokumente në lidhje me rastet e tyre. Pra, Zyra e Mbrojtjes brenda Zyrës Administrative është në dispozicion për t'iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që ekipet kanë në lidhje me atë sistem, por edhe zgjidhjen e problemeve teknike. Pra, nëse ka ndonjë problem, ekipi dhe Zyra e mbrojtjes janë atje çdo ditë për t'iu përgjigjur pyetjeve dhe për të zgjidhur problemet.

KOHA: Faleminderit për vizitën dhe intervistën!

Donlon: Faleminderit për kohën, ishte kënaqësi të jem me ju!