Arbëri

Ahmetaj tregon për iniciativën rreth parimeve për ballafaqim me të kaluarën

Nora Ahmetaj hulumtuese e Drejtësisë Tranzicionale ka folur për iniciativën rreth parimeve për ballafaqimin me të kaluarën.

Ajo ka thënë se janë dhjetë parime të cilat janë konsoliduar duke u bazuar edhe në përvojën 22-vjeçare dhe në shtyllat kryesore të drejtësisë tranzicionale.

Ahmetaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ballafaqimi me të kaluarën është proces i rimëkëmbjes së vendeve, shteteve e shoqërive pas luftërave ose konflikteve të brendshme dhe në çdo shtet, institucionet duhet të konsolidohen pas luftës.

“Mirëpo edhe shoqëria duhet më u rimëkëmbë. Duhet bërë disa pyetje dhe me kalu nëpër proces, me hulumtu, me dokumentu se çfarë ka ndodhur. Pastaj duhet me u procesu krimet e luftës, duhet të dihet kush ka qenë shkaktari, kush është kryesi dhe kush viktima. Duhet me e ditë se si me u marrë me viktimat dhe për të mbijetuarit duhet me u kujdes dhe me dhënë ndihmë psiko-terapeutike, sociale apo edhe ekonomike. Këto janë detyra të cilat ndahen më pas. Edhe shoqëria, institucionet e hisedarët e procesit e kanë detyrën e vet se çka duhet të bëjnë.

Sipas saj, në një kohë më të mëvonshme duhet të shikuar se si të edukohen brezat e ardhshëm, se çfarë ka ndodhur, krijimi i një narrative apo narrativave të përbashkëta se kush çka ka bërë këtu dhe krimet të cilat kanë ndodhur të dokumentohen mirë.

“Normalisht përmenda procesimin përmes gjykimeve për krime lufte, diçka që ka ndodhur në Kosovë. E kemi tash edhe Gjykatën Speciale”, ka shtuar tutje ajo.