Arbëri

Zyrtari i AUV-it po i lajmëronte bizneset në Prizren për aksionet anti-COVID të Policisë

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se është duke monitorimin nga afër Policinë e Kosovës lidhur me respektimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës mbi zbatimin e masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-19.

IPK-ja ka bërë të ditur se gjatë monitorimit të zbatimit të këtyre masave të premten mbrëma në Prizren, ka identifikuar disa biznese të cilat ishin të hapura pas orarit të përcaktuar, dhe se për ta bërë këtë, ato po njoftoheshin paraprakisht nga dikush për operacionet e Policisë dhe inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë.

“Monitorimi është fokusuar në kapacitetet policore të angazhuara, respektimin e zbatimit të masave të Qeverisë, si dhe bashkëpunimin me akterët tjerë të përfshirë në menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID-19. Gjatë zbatimit të plani operativ "Monitorimi i zbatimit të masave anti Covid-19" mbrëmë në rajonin e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar se disa bizneset të cilat ishin të hapura pas orarit po njoftoheshin paraprakisht nga dikush për operacionet e Policisë së Kosovës dhe inspektorëve të AUV-it”, thuhet në njoftim.

Pas disa veprimeve hetimore, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar se një zyrtar i AUV-it (inspektor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës) dyshohet se është duke lajmëruar bizneset të cilat ishin duke punuar jashtë orarit respektivisht në kundërshtim me vendimin e Qeverisë.

Lidhur me këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës dhe ndaj këtij zyrtari të AUV-it nga ana e hetimeve rajonale të Drejtorisë Rajonale të Prizrenit është iniciuar rast penal me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale "Keqpërdorim i informatës zyrtare".

Nga 1 shtatori, në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID për shkak të rritjes së rasteve të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e koronavirusit.