Arbëri

Komunat pa barna, vështirësohet puna e QMF-ve

Descriptive Text

Në shumë komuna mungojnë barnat bazike në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Kjo po vështirëson punën e tyre, sidomos në përballje me pandeminë. Ministria e Shëndetësie afro dy muaj më parë është pyetur nga KOHA për këtë çështje. Janë përgjigjur vetëm të premten, por nuk kanë treguar për nivelin e furnizimit

Jo veç për situatë të rëndë epidemiologjike do të mbahet mend ky vit. Krahas kësaj situate, ky vit konsiderohet ndër vitet me furnizimin më të dobët me barna e material shpenzues për shëndetësinë primare.

Përgjegjës për furnizim të këtyre qendrave është Ministria e Shëndetësisë, e ky institucion me ardhjen e ministrit Arben Vitia në krye të tij pati premtuar stabilizimin e situatës.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka folur për furnizimin e pamjaftueshëm me barna nëpër komuna.

“Përveç që kemi bashkëpunim dhe kontakte gati përditë me kryetarët e komunave, kemi edhe me drejtorët komunalë të Shëndetësisë. Ka shqetësime nga ta duke shpresuar që lakorja e të infektuarave të bjerë. Ka shqetësime sidomos sa u përket barnave të listës esenciale, por që Qeveria ka obligim t’u ofrojë komunave këto barna e një ndër to edhe remdesiviri si bari kryesor në luftimin e COVID-it. Komunat kërkojnë që sa më shpejt që është e mundur Ministria e Shëndetësisë t’i dërgojë barnat të cilat parashihen nga lista esenciale”, është shprehur Ibrahimi.

Saktësisht, para 47 ditësh për një gjë të tillë e ka pyetur KOHA, Ministrinë e Shëndetësisë. Përkundër që kërkesa u është përsëritur pothuajse çdo javë, vetëm të premten kanë kthyer përgjigje, por sërish nuk kanë treguar përqindjen e saktë të furnizimit me barna e material shpenzues, por vetëm se pritet të furnizojnë.

“Së fundmi, MSH-ja ka arritur të kontraktojë materiale shpenzuese që pritet të mbulojnë mbi 90% të materialeve shpenzuese për KPSH-në dhe barna që mbulojnë rreth 40%”, thuhet në përgjigje.

KOHA ua ka përsëritur sërish kërkesën për përqindjen aktuale, e jo planifikimin, por ata nuk janë përgjigjur.

Petrit Loci është drejtor i Shëndetësisë në Pejë. Ai ka thënë se në shëndetësinë primare në këtë qytet mungojnë edhe gjërat bazike.

“Sistemet që shkojnë më së shumti tash, infuzionet, sistemet e infuzionit s’kemi pranuar, ampula s’kemi pranuar. Kemi qendrën COVID me më shumë se 100 pacientë në ditë që trajtohen, një furnizim nuk vjen. Të gjithë terapinë që e marrin paraenterale e blejnë. Gjithë pacientët që marrin terapi ditore. Insulina nuk kanë ardhur në sasinë e duhur...”, ka deklaruar Loci.

Osman Veliu është drejtor i QKMF-së në Skenderaj. Vetëm në gusht, gati 10 mijë infuzione janë dhënë në shëndetësinë primare në këtë komunë, porse shërbimi është vështirësuar në mungesë të barnave.

“Sa i përket Listës Esenciale, kanë qenë në një nivel tejet të ulët të barërave përfshirë këtu edhe materialin shpenzues, kanë qenë në nivel tejet të ulët. Në veçanti kur ne marrim parasysh nevojat e rritura për shërbimet tona të qytetarëve për këto produkte... Përveç përballjes me mungesë të madhe të stafit veçanërisht mjekëve, përballja me mungesën e barërave dhe materialit shpenzues nga Lista Esenciale ka qenë jashtëzakonisht rënduese”, është shprehur Veliu.

KOHA vazhdimisht ka raportuar për mungesën e barnave në sistemin shëndetësor. Fillimisht për uljen e buxhetit për barna në të gjitha nivelet nga Qeveria Hoti, e pastaj për mosfurnizim dhe rritje të pamjaftueshme të buxhetit për barna nga Qeveria Kurti.