Arbëri

Pupovci thotë se është rritur përqindja e vaksinimit te personeli arsimor

Descriptive Text

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se nga java e kaluar është rritur për 5% përqindja e vaksinimit anti-COVID te personeli arsimor.

Pupovci tutje deklaroi se Ministria ka bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë viti i ri shkollor, derisa shpreson që situata me pandeminë të përmirësohet deri më 13 shtator, atëherë kur planifikohet të nisë procesi mësimor që u shty për dy javë shkaku i rritjes enorme të infeksioneve dhe fataliteteve me COVID-19 në Kosovë.

‘’Ministria e Arsimit i ka bërë të gjitha përgatitjet që fillimi i vitit të ri shkollor të fillojë me kohë por gjendja ne pandeminë ka bërë të shtyhet. Tashmë kemi rishikuar edhe udhëzuesin për fillimin e vitit dhe javën tjetër do jetë te drejtoritë komunale. Aty parashihen skenarët qe janë A, B, C dhe është shtuar një skenar për rikthimin e nxënësve në shkolla. Javën tjetër kemi takim me SBASHK-un, drejtoritë komunale e prindërit. Sipas informatave që kemi, nga 19 komuna shkalla e vaksinimit është 77% që është 5% me e lartë se javën e kaluar. Nga raporti i IKSHPK deri tani janë vaksinuar mbi 2 mijë nxënës Jemi duke shpresuar se situata e pandemisë do përmirësohet deri më 13 shtator dhe të fillojë procesi mësimor. Rekomandimet e fundit të OBSH-së që përkundër situatës janë që shkollat të qëndrojnë të hapura dhe të bëhen të sigurta përfshire vaksinimin. Shpërndarja e teksteve shkollore ka filluar nga 1 deri 9 do jenë falas deri sa kemi edhe tekste alternative dhe do përfundojnë me kohë. Janë bërë të gjitha përgatitjet për dokumentacionin shkollor të shpërndahet’’, deklaroi Pupovci.

Sa i përket afatit të dytë të Maturës Shtetërore që u mbajt të shtunën e kaluar, Pupovci u shpreh se provimi u monitorua nga shoqëria civile dhe procesi ka shkuar pa vërejtje, përveç disa shkeljeve, që sipas tij, janë ndëshkuar.