Arbëri

Selmanaj: Kurti e Osmani do të përfundojnë si udhëheqësit më të turpshëm dhe mediokër të Kosovës

Descriptive Text

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka akuzuar për dështim në menaxhim të shtetit kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani. Teksa i ka akuzuar se ata janë ngritur në politikë me “mashtrim dhe viktimizim”, Selmanaj ka thënë se ata “si të tillë do të përfundojnë, udhëheqësit më të turpshëm dhe më mediokër të historisë më të re të Kosovës”.

Duke folur për menaxhimin e pandemisë, Selmanaj ka thënë se të dy liderët e vendit po i fajësojnë të tjerët për rritjet enorme të numrave me COVID-19.

“A ka më keq?! Kryeministri fajëson popullin thotë që do gjashtëfishoj numrin e inspektorëve dhe do të zgjasë orarin e punës së policëve për të t’ju shqiptuar gjoba dhe disiplinuar qytetarët. Presidentja sot paska fajësuar shtetin zviceran për mos vaksinim të bashkatdhetarëve tanë, e nga ana tjetër lajmet mortore nga COVID-19 nuk kanë të ndalur. Vetëm binomi Kurti - Osmani nuk kanë asnjë faj vetëm?! Po si nuk keni turp?! I keni lënë qytetarët nën mëshirën e zotit pa vaksina, policët, mjekët, inspektorët pa shtesat e merituara dhe në fund fajësoni të tjerët. Jeni ngritur në politikë me mashtrim dhe viktimizim dhe të tillë do përfundoni, si udhëheqësit më të turpshëm dhe më mediokër të historisë më të re të Kosovës. Ju kemi thënë me kohë, por nuk na besonit”, ka thënë Selmanaj në një postim në Facebook.

Sot Osmani ka nxitur reagime pas një deklarate që dha për mediumin zviceran “Blick”. Kur u pyet se a ndihet fajtore që qytetarët e kthyer në Zvicër nga Kosova kanë sjellë me vete edhe virusin, Osmani u shpreh se “të gjithë këta persona është dashur të vaksinoheshin në Zvicër, para se të udhëtonin në Kosovë”. Më vonë Presidenca doli me sqarim se “Osmani nuk ka fajësuar Zvicrën për rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë”.

Javëve të fundit janë rritur ndjeshëm shifrat e rasteve fatale nga COVID-19 si dhe rastet e infektimeve. Vetëm të enjten jetën e humbën 32 persona ndërsa u regjistruan 1612 raste të reja.