Arbëri

Ushtarët britanikë ruajnë hyrjen në kampin e refugjatëve afganë

Descriptive Text

Nën masa të rrepta të sigurisë janë strehuar 111 qytetarë afganë në kampet e “Bechtel-Enkas”, që gjenden në afërsi të qytetit të Ferizajt. Ndërkohë që edhe sonte pritet të arrijë një grup tjetër me refugjatë afganë. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se për një kohë të caktuar, për shkak të sigurisë e privatësisë, mediat nuk do të lejohen të hyjnë në kampe

Çdo veturë e person që është i autorizuar të hyjë brenda ish-kampit të konsorciumit “Bechtel-Enka”, që ndërtoi dy autostradat në Kosovë, kontrollohet në mënyrë të detajuar. Për këtë po kujdeseshin ushtarë britanikë, të cilët ishin në hyrje të kampit. Hyrja për media atje është e ndaluar, për shkak se, siç ka thënë Ministria e Punëve të Brendshme, të sigurisë dhe ruajtjes së privatësisë së refugjatëve nga Afganistanit.

“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton të gjitha mediat vendore dhe ato ndërkombëtare se për shkaqe të sigurisë dhe ruajtjes së privatësisë së refugjatëve nga Afganistani të vendosur në Kosovë, për një kohë të caktuar nuk do të kenë qasje në kamp për të marrë pamje. Kjo masë do të jetë deri në një vendim tjetër. Shpresojmë në mirëkuptim dhe ju falënderojmë për interesimin tuaj. MPB-ja do të jetë e hapur për secilin rast, për të gjitha çështjet që janë në interes të publikut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Aty pritet të strehohen edhe grupet e tjera me refugjatë afganë. Pas një rrugëtimi të gjatë, tashmë disa qytetarë afganë këtë të hënë kishin dalë të shijonin diellin e hapësirën e re ku janë strehuar.

Mbrëmjen e së dielës, 111 qytetarë afganë, të cilët kanë punuar në NATO dhe familjarë të tyre, kanë aterruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Aty ishin edhe 6 autoambulanca me staf mjekësor, të cilët janë kujdesur që të testojnë të gjithë personat për COVID-19 dhe për t’iu ofruar ndihmë mjekësore.

Për t’i pritur refugjatët afganë kishin dalë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e ambasadorë të shteteve të QUINT-it.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se afganëve që kanë mbërritur sot në Kosovë u kanë treguar se kanë hapur për ta jo vetëm dyert, por edhe zemrat. Osmani ka thënë në një konferencë për media nga Aeroporti i Prishtinës, pas mbërritjes së afganëve, se me këtë veprim Kosova po qëndron pranë partnerëve ndërkombëtarë. “Mirëpritëm grupin e parë të qytetarëve të Afganistanit të cilët ishin punëtorë ose kontraktorë të aleatëve tanë, të NATO-s dhe kanë nevojë për mbrojtje më shumë se kurrë. Treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona, sepse si viktima të një pushteti gjenocidial e kuptojmë shumë mirë se çka do të thotë që të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote, prandaj jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë”, është shprehur ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke falënderuar NATO-n dhe SHBA-në për komunikimin dhe bashkëpunimin e ngushtë për mirëpritjen e refugjatëve, ka thënë se është nder për të dhe Kosovën t’u ndihmojnë këtyre refugjatëve. “Para më shumë se 22 vjetësh NATO-ja bëri ndërhyrje humanitare për ta ndërprerë gjenocidin ndaj nesh, e tash po i presim ne këta refugjatë”, ka thënë ai.

Derisa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, ka treguar se në Kosovë pritet të strehohen rreth 2 mijë afganë.

“Fluturimet e ardhshme do të ndodhin qysh nesër, tashmë kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme dhe është çështje e organizimit të aleatëve sa u takon fluturimeve”, është shprehur ministri i Punëve të Brendshme.

E pasi që të gjithë rezultuan negativë në testimet për COVID-19, dy fëmijë afganë janë dërguar për trajtim në QKUK, për shkak të disa problemeve që kanë pasur.

Pas rreth 4 orë qëndrimi në hapësira të Aeroportit të Prishtinës, në mesnatë, grupi i parë i afganëve është nisur për të shkuar në kampin e “Bechtel-Enkas”, që ndodhet pranë kampit të Bondsteelit në Ferizaj.