Arbëri

ZKA-ja gjen mangësi në procesin e ndërtimit të rrugëve lokale dhe rajonale

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë të ketë gjetur mangësi të shumta në procesin e ndërtimit të rrugëve lokale dhe rajonale.

Në një komunikate për media, thuhet se procesi i ndërtimit dhe përmirësimit të rrugëve rajonale dhe lokale gjatë periudhës 2017-2019 për të cilin janë shpenzuar mbi 343 milionë euro, është përcjellë me mangësi të shumta dhe vonesa nga tri deri në pesë vjet.

Sipas ZKA-së, ky është konkluzioni i përgjithshëm i auditimit të Raportit të Performancës “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale” i Zyrës Kombëtare të Auditimit që është publikuar të hënën.

ZKA-ja bën me dije se ky auditim kishte për qëllim vlerësimin nëse rrugët e ndërtuara përfundohen me kohë, me cilësi sipas standardeve dhe nëse është arritur vlera për para, ndërkaq subjekte të auditimit kanë qenë Ministria e Infrastrukturës, Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe e Malishevës.

“Rezultatet e auditimit tregojnë se ndërtimi rrugëve lokale dhe rajonale është karakterizuar me dobësi të shumta duke filluar nga mungesa e analizës kosto-përfitime, planifikimi jo adekuat i aktiviteteve, buxhetimi i pamjaftueshëm i fondeve, probleme me shpronësime si dhe problemet me hartimin e projekteve kryesore dhe paqartësi sa i përket referimit në standarde të ndërtimit të rrugëve. Për pasojë, ndërtimi i rrugëve ishte përcjellë me vonesa nga tri deri në pesë vite prandaj në shumicën e projekteve të audituara nuk është siguruar vlera më e mirë për para”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, auditimi ka identifikuar se Ministria e Infrastrukturës dhe komunat e audituara kishin shpallur tenderë pa u siguruar se janë plotësuar parakushtet për fillimin e tyre përfshirë edhe mospërfundimin e shpronësimeve. Sipas tyre, edhe inicimi i aktivitetit të prokurimit dhe lidhja e kontratave është bërë në kohë të papërshtatshme gjë që kishte pamundësuar zbatimin e tyre me kohë. Në raporton thuhet se anuk kishin buxhetuar as fonde të mjaftueshme për të siguruar zbatimin e pandërprerë të kontratave, mirëpo këto fonde ishin vënë në dispozicion vetëm pas dy apo tri vitesh.

“Po ashtu procesi i auditimit ka nxjerr në pah mangësi edhe në hartimin e projekteve kryesore, me ç’rast disa rrugë ishin ndërtuar duke u bazuar vetëm në paramasë. Për pasojë, në disa raste, ishin bërë punë shtesë, duke krijuar kështu edhe shpenzime shtesë.

Përveç këtyre çështjeve auditimi ka identifikuar edhe disa mangësi të përbashkëta rreth pajtueshmërisë me kërkesat ligjore në procesin e ndërtimit të rrugëve”, thuhet në njoftim.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se cilësia e mirë e punimeve në rrugë është e rëndësishme si për sigurinë ashtu edhe për arsyet e zhvillimit ekonomik. Prandaj bazuar në mangësitë e identifikuara, përmirësimet në procesin e ndërtimit të rrugëve janë të domosdoshme dhe për të eliminuar mangësitë në këtë proces duhet të ndërmerren veprime konkrete.