Arbëri

Ambasadori kosovar në Australi përfundon misionin, e mbyll Ambasadën pasi nuk shkoi askush t’ia marrë çelësat

Descriptive Text

Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka njoftuar se ka përfunduar misionin e tij sot në orën 09:00, me kohën tonë lokale, pas gati dy vite e gjysmë në detyrë.

Abazi përmes një postimi në Facebook ka shprehur shqetësim se askush nuk ka ardhur për ta bërë pranim-dorëzimin e detyrës. Ai madje thotë se nuk kishte kujt t’ia linte çelësat e Ambasadës, pasi në të ka dokumente të rëndësishme diplomatike. Megjithatë, Abazi ka larguar përgjegjësinë nga vetja që në momentin kur u largua.

‘’Prita deri në ora 17:00 minuta me kohën e Australisë, dhe me kohën e Kosovës ora është 09:00 minuta. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Duke qenë se në Ambasadë ka materiale konfidenciale, vula, materiale konsullore, aparatura, vetura me targa diplomatike etj... unë e kam bërë skenimin e gjendjes ashtu sikurse po e lë Ambasadën që ta kem si dëshmi. Nga ky çast, unë nuk kam përgjegjësi për Ambasadën. E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka sikurse ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada. Qoftë edhe për ca javë, Ambasada de facto është e mbyllur, pasi që aty është vetëm stafi teknik dhe asnjë komunikim zyrtar në emër të ambasadës nuk mund të bëhet’’, ka shkruar Abazi.

‘’Nga nesër, unë më nuk kam asnjë përgjegjësi institucionale, i kthehem profesionit tim shkencor. Nuk do të heshtë, sepse këtë nuk e kam bërë nga rinia e hershme edhe kur kishte çmim të shtrenjtë ngritja e zërit, por do të bëhem krah i atyre që angazhohen për mbrojtjen e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, vlera këto të cilat po manipulohen’’, vijoi ndër të tjera ai.

Çështja e ambasadorëve është një çështje e zvarritur nga institucionet e Kosovës. Me gjithë premtimin e Qeverisë se së shpejti do të emërohen ambasadorët e rinj, pas shkarkimit të 12 prej tyre më herët, Ministria e Punëve të Jashtme deri para shkuarjes në pushim të Kuvendit nuk e ka dërguar asnjë emër.