Arbëri

Hoxhaj thotë se Ballkani është në fazë lodhjeje, drojë nga ndikimi rus

Descriptive Text

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në fjalën e tij gjatë sesionit të Samitit të SEECP-së me ministrat e Jashtëm në Dubrovnik ka folur në lidhje me bashkëpunimin në mes të shteteve pjesëtare të SEECP dhe sfidat për ecjen përpara.

Hoxhaj ka thënë se Ballkani ka hyrë në një fazë të lodhjes, ndërsa në anën tjetër gjatë gjithë kohës është në rrezik nga ndikimi i padëshiruar nga Rusia.

“Ne flasim çdo ditë për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtinë, mirëpo kemi shumë pengesa politike, të cilat kanë shkaktuar një lloj lodhjeje në Ballkan. Rajoni, në pamjen tonë, ka tri sfida të cilat duhet të tejkalohen me bashkëpunimin e të gjitha shteteve: refugjatët e lindjes, kërcënimi rus dhe ekstremizmi fetar”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj është orientuar kah bashkëpunimi në mes të vendeve të rajonit mbi parimin e barazisë. Ai ka përmendur udhëheqjen e organizatave rajonale dhe selitë e tyre.

“Kur jemi tek organizatat rajonale, duhet rritur përfaqësimin e barabartë për të gjitha vendet e rajonit. Njësoj edhe selitë e organizatave të ndryshme rajonale. Për të funksionuar bashkëpunimi dhe projektet për zhvillimin e rajonit, duhet përfaqësim i barabartë në këto instanca, dhe për këtë na duhet ndihma e të gjithë juve”, ka deklaruar Hoxhaj, derisa ka përmendur tri sfida kryesore për rajonin në ditët e sotme.

Hoxhaj u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që ta mbështesin Kosovën në nismat për kryesim të organizatave rajonale.