Arbëri

Mjeku shqiptar me renome në Zvicër bën apel për vaksinim urgjent

Omer Xhemali, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Spitalin e Qytetit të Zurichut në Zvicër, i është drejtuar komunitetit shqiptar në Zvicër dhe të gjithëve me një apel për vaksinim urgjent kundër COVID-19.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Xhemali ka thënë se vaksinimi shpëton nga vdekja. Thirrja e tij vjen pas raportimeve se një pjesë e madhe e të shtrirëve në spitalet e Zvicrës janë persona me prejardhje të huaj që s’janë vaksinuar e në të shumtën janë kthyer të infektuar nga pushimet e verës, përfshirë mërgimtarët që ishin në Kosovë.

“Po ju drejtohem me lutje të drejtpërdrejtë dhe urgjente. Vaksinohuni menjëherë e pa ngurrim. Vaksinat që jepen në Zvicër janë të sigurta. Vaksinimi është rruga e vetme për t’u përballur me pandeminë. Mos i besoni asnjë lajmi të rrejshëm e as një teorie të komplotit që sidomos në rrjete sociale përhapen nga njerëz të pandërgjegjshëm. Vaksinat janë zbuluar nga shkencëtarët më të shkathët. Vaksinat ju shpëtojnë nga vdekja. Kjo nuk është pak. Nëse ju nuk vaksinoheni rrezikoni veten dhe rrethin tuaj. Duke e bartur virusin mund t’ia merrni jetën më të dashurve tuaj. Kjo s’duhet të ndodhë. Jeta e secilit është e rëndësishme. Nëse refuzoni të vaksinoheni dhe përfundoni në spital, ju mund t’ia bllokoni shtratin atyre që kanë nevojë urgjente, për shembull pacientëve të sëmundjeve të zemrës. Është momenti i fundit për vetëdijesim të përgjithshëm dhe për vaksinim. Bindni edhe prindërit të vaksinohen. Nuk i kemi 100 jetë por vetëm një. Jam vaksinuar para disa muajsh dhe më ka ndihmuar të kryej punën time e të shpëtoj shumë jetë, në mes tyre edhe shqiptarë. Ndihmoni edhe juaj në shpëtim tuaj”, ka thënë ai në apelin e tij.

 

APEL URGJENT PËR VAKSINIM! Prof. Dr. Omer Xhemali, drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Spitalin e Qytetit të...

Posted by Enver Robelli on Thursday, August 26, 2021