Arbëri

Dogana parandalon 17 tentim-mashtrime përmes faturave të manipuluara

Njësit relevante të Doganës së Kosovës kanë parandaluar 17 tentim-mashtrime përmes faturave të manipuluara vetëm gjatë ditës së sotme, 26 gusht.

Siç thuhet në njoftimin e Doganës, këto raste të mashtrimit kanë qenë kryesisht në importin e veturave. Mashtrimet e dyshuara, sipas Doganës, janë bërë me qëllim që të zbatohen vlera më të ulëta të pagesës së detyrimeve.

‘’Vlen të ceket se si rrjedhojë e këtij plani janë shqiptuar 10 kundërvajtje doganore dhe janë iniciuar për hetim penal dy raste, që kanë pasur shmangie. Rastet tjera janë duke u administruar derisa të përfundohen procedurat e nevojshme të verifikimit’’, thuhet në njoftim.

Dogana ka kërkuar bashkëpunim nga subjektet tregtare dhe qytetarët që të përmbahen nga mashtrimet në cilëndo formë të mundshme.