Arbëri

Pretendohet se Kurteshi sulmoi një koleg për mosmbajtje të maskës

Gjatë së mërkurës është raportuar se anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka sulmuar fizikisht një zyrtar të KQZ-së.

Shkak i sulmeve, sipas raportimeve, është bërë maska.

Pretendohet se Kurteshi ka sulmuar kolegun, pasi i njëjti brenda hapësirave të KQZ-së nuk e kishte të vendosur maskën.

Koha ka provuar të kontaktojë me Kurteshin, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Për të njëjtën çështje, zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se pas informacioneve që kanë marrë janë iniciuar procedurat për hetim të rastit.

“Policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes, me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit është iniciuar një hetim për rastin sulm”, thuhet nga Policia.

Vërejtje për mosmbajtje të maskave Kurteshi u ka dhënë kolegëve edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së.

“E kam një kërkesë, Zoti Ahmetaj dhe ju dy kamermanë vendosini maskat ose dilni jashtë. Edhe z. Kryesues asnjë njeri në sallë nuk duhet të jetë pa maskë, ne nuk po e marrim seriozisht po po vdesin 10 njerëz në ditë”, kishte thënë Kurteshi.

Apel të njëjtë Kurteshi kishte bërë edhe në prill, kur ishte infektuar me COVID-19 ish-kryetarja Valdete Daka.

“Ju lus kolegë, të gjithë ata që janë në sallë, vendosne bre nga një maskë se pasha besën dojmë me shku poshtë, vendosne, vec po ju luti”, tha Kurteshi.

Në lidhje me incidentin, Koha ka tentuar ta kontaktojë edhe zëdhënësin e KQZ-së, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.