Arbëri

Abdixhiku për situatën alarmante me COVID-19: Qeveria po sillet sikur s’po ndodh asgjë

Descriptive Text

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e situatës me pandeminë.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se Kosova është vend i vogël për t’i pasur 44 vdekje në tri ditë.

Abdixhiku ka shtuar se Kosova poashtu është vend i vogël për t’i përballuar si hiçgjë 44 tragjedi familjare.

Sipas tij, katër të rinj e reja, në të njëzetat, janë shuar në tre ditë nga varianti i ri.

“Nga një ditë zie e kemi çdo ditë. Këtë gjendje shqetësuese s’mund ta normalizojmë. S’është normale. As ta politizojmë sepse në beteja si këto, as që dua të marr ndonjë votë. Por s’mund të sillemi sikurse nuk po ndodhë asgjë. S’mund ‘ti kapërcejmë gjithë këto vdekje tragjike vetëm si numra qa na shpërfaqen në ora tre e gjysmë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se Qeveria vazhdon të sillet sikur asgjë nuk po ndodhë, sikur asgjë s’kanë në dorë.

“17 të vdekur pardje, 13 dje, 14 sot. E meqë s’po merren me pandemi, çfarë po bëjnë të gjithë aty? Me çka e kalojnë kohën një ushtri pushtetarësh dje e sot - në ditët kur na vdesin plot 44 qytetarë? Ekspozitat e pikturave të Hotelit Grand e simpoziumet gjuhësore - me të cilat duket se Kryeministri megjithatë gjen kohë - mund të presin pak. Në vend të tyre duhet të prijë. Bashkë me Ministrin e Shëndetësisë mëngjes e mbrëmje me çdo kapacitet shtetëror vetëm me pandemi - në spitale, inspektoriat, polici e Qeveri. Barabartë me mijëra mjekë që po ballafaqohen me pandemi e me 24 mijë të infektuar që i kemi aktualisht, Asgjë tjetër s’ka sot më shumë rëndësi. Asgjë”, ka shkruar ai.