Arbëri

Lista Serbe e shqyrton mundësinë të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit

Lista Serbe ka reaguar pas konfirmimit të dënimit me dy vite burgim të deputetit të kësaj partie dhe anëtarit të kryesisë, Ivan Todosijeviq, pasi kishte quajtur Masakrën e Reçakut një trillim.

Apeli ka vërtetuar dënimin e Todosijeviqit të cilit ia kishte shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 dhjetor të vitit 2019.

Lista Serbe ka thënë se do ta shqyrtojë opsionin që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë më 17 tetor.

Lista Serbe e ka vlerësuar vendimin për të dënuar Todosijeviqin si të motivuar politikisht dhe shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, pasi ka thënë se juria në rastin e Todosijeviqit ishte e përbërë vetëm nga shqiptarë.

“Duke pasur parasysh se Prishtina vazhdimisht shkel Marrëveshjen e Brukselit në dëm të serbëve, e cila u arrit dhe u pranua në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, si garantuese e respektimit të të drejtave të popullit serb, në bazë të së cilës u mbajtën zgjedhjet lokale, Lisa Serbe në konsultim me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqësinë tonë, do të shqyrtojë nëse do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sot është një ditë e zezë e drejtësisë dhe ligjit në Kosovë dhe Metohi”, thuhet në reagimin e Listë Serbe në Facebook.