Arbëri

Pacientët kritikojnë MSH-në për kushtet në Pulmologji, lavdërojnë stafin e klinikës

Qetësimi i situatës epidemiologjike me COVID-19 për rreth 3 muaj nuk ka ndikuar që kushtet e Klinikës se Pulmologjisë të rregulloheshin, ani pse në valët e tjera të virusit kjo klinikë ishte cak i kritikave.

Pasditen e së martës ky kat po bëhej gati për pacientët e punët e rinovimit në klinikë nuk kanë përfunduar akoma.

Për kushtet në Pulmologji kanë ankesa pacientët, por ata lavdërojnë punën e stafit shëndetësor.

Ky pacient ka 10 ditë që është i hospitalizuar. Gjendja e tij është përmirësuar. Ka fjalë të mira për stafin, por ka ankesa për numrin e vogël të tyre.

“Një njeri komplet repartin veç vetë e mbikëqyr”, tha pacienti Shkumbin Peci.

Ai e ka një porosi për ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

“E kam një apel për ministrin Vitia nëse është hala ministër. Le t’i qelë sytë. Ministri nuk mundet me i çba hajnitë që kanë ndodh që 20 vjet por veç me fjalë të thata nuk shkohet përpara”, tha Peci.

Edhe pacientë të tjerë kanë ankesë në çështje që nuk lidhen me stafin shëndetësor.

Në dhomë ankesat janë për shtretërit. Të tre shtretërit ku po trajtohen këta pacientë janë të thyer.

“Kqyre qëto, kqyre qëto. Na u koqit shpina jemi ba llom”, tha Shaip Tahiri, pacient tjetër në Pulmologji.

“Njëjtë spo mundesh me ni vetën rahat se krejt trupi po të dhem. A nga ana e stafit shëndetësor krejt në rregull. Po terapi po kanë por edhe me i ble po duhet”, deklaroi pacientja Hava Ademi.

Pulmologu Besim Morina gjatë të martës ka qenë mjek kujdestar në këtë klinikë.

Ai ka treguar që në Pulmologji ka numër të madh të pacientëve të hospitalizuar, por këto ditë ka edhe numër shumë të madh të pacientëve ambulantorë që vijnë në këtë klinikë për vizitë.

Ai ka folur edhe për mungesën e stafit në këtë klinikë

“Si në klinikat e tjera edhe në këtë klinikë kemi mungesë stafit, sidomos një pjesë të stafit infermieror dhe specialistëve. Kemi shkurtuar të gjithë pushimet për shkak të nevojës për staf”, tha pulmologu Morina.

Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkurs për 1160 punonjës shëndetësorë për trajtimin e rasteve me COVID-19. Përderisa situata është e rënduar në spitale, konkursi është duke vazhduar e nuk dihet kur do të përfundojë.

Ndonëse parashihet në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19, parashihet që punonjësit shëndetësorë të marrin shtesa, por ende nuk është marrë ndonjë vendim në Qeveri për këtë çështje e MSh-ja ka thënë se një gjë e tillë pritet të bëhet nga muaji i ardhshëm por, siç ka mësuar, shtesat nuk do të jenë sa në të kaluarën.