Arbëri

Mbi 708 mijë vaksina të administruara deri tash

Mbi 708 mijë ka shkuar numri i vaksinave anti-COVID që janë administruar deri tash në Kosovë. Vetëm të shtunën janë administruar edhe 18 mijë e 778 doza, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Deri tash, me të dy dozat janë vaksinuar 236 mijë qytetarë, ndërsa nga një dozë e kanë marrë 235 mijë të tjerë.

E shtuna e 21 gushtit ka qenë dita e parë në disa javë që qytetarët kanë pasur mundësi të imunizohen vikendeve. Ky vendim hyri në fuqi ditë më parë pas rritjes alarmante të rasteve të reja dhe interesimit të qytetarëve për vaksinim.

Vetëm në javën e fundit, nga e hëna në të shtunën, janë kryer rreth 128 mijë vaksinime, me një mesatare prej mbi 21 mijë sosh në ditë.

Shifra aktuale e dozave të administruara në total, në panelin e MSH-së, është 708 mijë e 331.

Procesi i vaksinimit masiv ka nisur më 15 qershor, ndërsa interesimi për vaksinim është shtuar ditëve të fundit. Nga java që po përfundon, vaksinimi u është mundësuar edhe fëmijëve më të rritur se 12-vjeç.

Sa i përket shifrave të përgjithshme 127 mijë e 627 është numri i qytetarëve që kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 nga fillimi i pandemisë e deri tash. Prej tyre 2315 kanë humbur jetën, ndërsa 107 mijë e 25 janë shëruar.

Image