Arbëri

Qeveria merr vendim të ri lidhur me strehimin e afganëve

Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim të ri që lidhet me strehimin e afganëve në vend. Sipas njoftimit nga Qeveria, pas mbledhjes së 28-të, të mbajtur online mbrojtje e përkohshme do t’u ofrohet edhe një grupi të veçantë të përcaktuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pos atyre që janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta të SHBA-së.

“Sipas vendimit të miratuar sot, përpos personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve”, thuhet në njoftim.

Individë të përshtatshëm për këtë grup janë afganët që kanë punuar ose punojnë për Qeverinë amerikane, forcat amerikane ushtarake, për programet e financuara nga Qeveria amerikane, afganët që kanë punuar për organizata mediale me bazë në SHBA apo organizata joqeveritare.

Më 16 gusht, Qeveria e Kosovës vendosi që t’u ofrojë mbrojtje të përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me vendim ndihma u ofrohej qytetarëve që ishin në proces të aplikimit për viza të veçanta për SHBA.

Ende s’është bërë e ditur se sa afganë do të pranohen në Kosovë, megjithatë institucionet janë deklaruar se janë të gatshme për strehimin e tyre.​