Arbëri

Ngecje në fiskalizim, bizneset ankohen për mosfurnizim me arka mobile

Descriptive Text

Fiskalizimi i bizneseve vazhdon të jetë sfidë për Administratën Tatimore të Kosovës. Ky proces ka ngecur edhe gjatë kohës së pandemisë. Afro 14 mijë biznese ende nuk janë fiskalizuar. Ka të tilla që po ankohen për vonesa të pajisjeve fiskale mobile. Ndërkohë nga ATK-ja kanë bërë të ditur se ngecja ka ardhur edhe si pasojë e pandemisë, ku janë mbyllur fabrikat dhe ka pasur vonesa e kosto të lartë të transportit

Afro 14 mijë biznese vazhdojnë të operojnë pa arkë fiskale. Problemet në pajisje me arka dhe vonesat në këtë proces janë vënë në pah edhe kohëve të fundit.

Bizneset që kanë paguar rreth 700 euro për një arkë fiskale të modelit mobil po ankohen që furnizuesi po i vonon arkat fiskale me muaj të tërë. Në ndërkohë ATK-ja po i gjobit ato për hapje të bizneseve pa arkë fiskale.

Që nga janari, ATK-ja ka lëshuar 455 gjoba në vlerë rreth 72 mijë euro për mungesë të arkës.

Bizneset kanë hezituar të flasin para kamerës, por kanë thënë se këto vonesa po u shkaktojnë humbje, pasi ata po detyrohen të paguajnë qira pa punuar.

Nga ATK-ja kanë thënë për KOHËN se kanë informacione për vonesa të këtyre pajisjeve dhe se operatori ekonomik ka njoftuar për arsyet.

“ATK ka kontaktuar me operatorin ekonomik, i ka kërkuar sqarime lidhur me këtë vonesë. Nga OE jemi informuar se kanë ndikuar disa faktorë në vonesa për furnizim të një modeli të PEF: faktori kryesor ka qenë pandemia COVID-19, që ka ndikuar në mbyllje të fabrikave, vonesa dhe kosto të larta të transportit, si dhe faktor tjetër ka qenë përgatitja për kalimin në gjeneratën e re të pajisjeve elektronike fiskale, ku nuk kemi “guxuar” të porosisim sasi të mëdha, nga frika se mos na mbesin në stok kur kalojmë në pajisjet e reja fiskale”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Sipas këtij institucioni, për modelet e tjera nuk kanë pasur probleme të tilla dhe pritet që deri në fund të muajit gusht të kryhet furnizimi me këtë lloj të pajisjes fiskale.

Që nga fillimi i procesit të fiskalizimit, 35 mijë e 683 biznese janë pajisur me arka fiskale.

Nga ATK-ja kanë thënë se fiskalizimi ka vazhduar pa probleme.

“Normalisht që kërkohet një kohë derisa të përgatitet pajisja fiskale nga tekniku i operatorit ekonomik dhe të fiskalizohet biznesi në fjalë bazuar në të dhënat e regjistrimit të biznesit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas ATK-së, vonesa të tilla nuk ka pasur asnjëherë më parë. Por si shkak të këtyre vonesave e shohin edhe shtimin e aktiviteteve të inspektorëve tatimorë në terren, gjë që, sipas saj, ka ndikuar që të rritet numri i bizneseve të cilat kanë kërkuar të fiskalizohen, kurse stoqet me pajisje fiskale të OE kanë qenë më të vogla sesa ka pasur kërkesa.

Mustafë Kadrijaj, profesor i ekonomisë, thotë se shifra e bizneseve të pafiskalizuara është shqetësuese për faktin se shteti varet nga të hyrat dhe tatimet.

“Do të ishte mirë që ato vlerës sa kushton pajisja të lirohen nga pagesa nga ana e ATK-së, gjë që do të ishte e mirëseardhur nga ATK-ja në të ardhmen, për faktin që flitet se 30 për qind ka ekonomi joformale, kështu që e arsyeton vetveten nëse i ndihmon biznesit në këtë drejtim pasi në të ardhmen nuk kanë arsye bizneset që t’i ikin obligimit që të pajisen me arkë fiskale”, ka thënë ai.

Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur ngecje në fiskalizim për vitin 2020. Në raportin e saj thuhet se ATK në vazhdimësi ka pasur probleme në realizmin e këtij projekti duke pasur parasysh edhe rezistencën e bizneseve për t’u pajisur me arkë.

“Edhe më tutje po vazhdon të mbetet sfidë për ATK-në fiskalizimi i plotë i të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret për fiskalizim. Numri i bizneseve që nuk janë të fiskalizuara në fund të vitit 2020 ishte 13,802”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Qeveria aktuale ka premtuar ndryshimin e kësaj praktike, duke zëvendësuar atë me një program softuerik të ATK. Por, ajo nuk ka asnjë afat kohor se kur pritet të zbatohen pikat e programit.

“Siç është premtuar, ndryshimi i praktikës për arka fiskale është pjesë e planit të Qeverisë dhe ne jemi duke punuar në gjetjen dhe përcaktimin e zgjidhjes adekuate. Me kohë do t’ju mbajmë të informuar për kornizat e planit të veprimit për këtë qëllim dhe të gjitha detajet e tjera”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

ATK nga muaji korrik 2021 ka filluar edhe zbatimin e planit për zvogëlimin e ekonomisë joformale.

Ky plan, sipas ATK-së, ka për qëllim zvogëlimin e ekonomisë joformale te shumë sektorë, te të cilët gjatë sezonit të verës aktiviteti shumëfishohet.

“Gjatë këtyre ditëve, bazuar në këtë plan, inspektorët tatimorë kanë kryer vizita te sektorë të caktuar për të identifikuar bizneset të cilat nuk janë të fiskalizuara dhe ato që janë por nuk lëshojnë kuponë fiskalë”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Aty thuhet se nga gjithsej 4,980 kontrolle janë lëshuar 9,918 gjoba. Në llupën e inspektimit gjatë ditëve në vijim do të jenë sektori i hotelerisë/restoranteve, sallonet e ondulimit, estrada (këngëtarët) si dhe punësimi joformal.