Arbëri

Nuk ndalen ahengjet, të premten institucionet ndërprenë dhjetëra sosh

Shkelje të masave, si nga gastronomia ashtu edhe nga qytetarët që kanë mbajtur ahengje, ka evidentuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të premten mbrëma në Prishtinë e Prizren. Kjo Agjenci ka paralajmëruar kontrolle strikte të zbatimit të rregullave të reja anti-COVID. Në Shoqatën e Gastronomëve kanë thënë se nuk e kanë fuqinë që t’i obligojnë, por vetëm t’u bëjnë thirrje anëtarëve të vet që t’i zbatojnë ato

Shkelja e masave anti-COVID është e dukshme nëpër lokale gjithandej Kosovës, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur me gjobitje dhe ka paralajmëruar kontrolle strikte. Masat e reja përcaktojnë se duhet të ketë kufizime në shfrytëzim të hapësirës deri në 50% në ambiente të brendshme dhe deri në 70% në ato të jashtme.

AUV-i ka njoftuar për marrjen e masave ndaj disa subjekteve gastronome dhe ka shqiptuar gjoba edhe lidhur me mbajtjen e ahengjeve familjare.

“Mbrëmë në regjionin e Prizrenit, Inspektorati Sanitar i AUV-it bashkë me Policinë e Kosovës gjatë kontrolleve për mbikëqyrje të zbatimit të masave anti-COVID, sipas vendimit të fundit të Qeverisë, kanë ndaluar mbajtjen e 10 ahengjeve familjare. Janë shqiptuar tetë gjoba juridike për lokalet e gastronomisë, të cilat nuk janë krijuar kushtet për respektim të masave COVID-19. Katër lokale janë mbyllur. Në Prishtinë është gjobitur një lokal. Kontrollet strikte do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të ndikuar në rënien e numrit të të infektuarve. Ftojmë qytetarët dhe bizneset të tregohen të kujdesshëm në respektim të masave”, ka njoftuar zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

Të premten, kryetari i gastronomëve të Prishtinës, Veton Zuka, ka thënë për KOHËN se vazhdimisht bëjnë thirrje për respektim të masave, porse nuk e kanë fuqinë e shtetit për ta parandaluar shkeljen e tyre.

“Ne thirrje kemi bërë gjithmonë. Ne nuk jemi organ ekzekutiv. Krejt çfarë mund të bëjmë ne është që të bëjmë thirrje dhe t’i informojmë të gjithë gastronomët për rregullat e reja. Për çdo mosmbajtje të rregullave vjen ekzekutivi dhe merren me këta persona në baza personale ose në baza të biznesit për secilin që i shkel rregullat”, është shprehur Zuka.

Edhe qytetarët janë gjobitur si pasojë e shkeljes së rregullave. Në bazë të raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës janë shqiptuar 664 tiketa në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.