Arbëri

Afganistani: Parajsa e kosovarëve, e kthyer në ferr

Astrit Istrefit, me t’i parë skenat nga aeroporti i Kabulit, mendja i ka shkuar te miqtë e shumtë afganë me të cilët ka punuar për vite me radhë në provincat e ndryshme të Afganistanit. “Me shumë dhimbje”, thekson Istrefi, drejtor i Forumit Ballkanik, duke shtuar: “Unë në fakt nuk besoj se kam takuar një person që e ka kaluar një kohë atje e që nuk ka ndier dhimbje për atë vend dhe për atë popull, nuk besoj. Nuk kam takuar, ma drejt me thanë”

Skenat e prekshme të afganëve që kacavirren për vdekje në aeroplanët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara në ditën e marshimit të talebanëve në Kabul kanë tronditur botën mbarë.

Aeroporti i Kabulit ende vazhdon të mbetet shpresa e fundit për ikjen e shumë afganëve nga vendi, derisa shtetet perëndimore po tërheqin shtetasit e tyre. Afganët po ndihen të braktisur nga Perëndimi që rrëzoi talebanët 20 vjet më parë me ndërhyrje ushtarake.

Astrit Istrefit, me t’i parë skenat nga aeroporti i Kabulit, mendja i ka shkuar te miqtë e shumtë afganë me të cilët ka punuar për vite me radhë në provincat e ndryshme të Afganistanit.

“Me shumë dhimbje”, thekson Istrefi, drejtori i Forumit Ballkanik, duke shtuar: “Unë në fakt nuk besoj se kam takuar një person që e ka kaluar një kohë atje e që nuk ka ndier dhimbje për atë vend dhe për atë popull, nuk besoj. Nuk kam takuar, ma drejt me thanë”.

Dhimbje edhe më të madhe e përshkruan atë çfarë po ndodh me qytetarët afganë, që tani janë në duar të regjimit brutal të talebanëve. Pamjet e ditëve të para nga qytetet afgane dëshmojnë se si po vriten e torturohen të gjithë ata që kishin punuar për forcat e koalicionit perëndimor. Kjo thuhet edhe në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara.

“Kishte një hov të madh të demokracisë”, thekson Istrefi, folur për dy dekadat e Afganistanit nën kontrollin perëndimor, të prirë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Dhe sinqerisht, kjo që ndodhi tani sidomos, e kam përjetuar me shumë dhimbje”.

Amerika: “Do të jemi këtu një vit më shumë se turku”

Rënien e Kabulit brenda ditës së diel e ka përcjellë edhe kryetari i fshatit Sojevë të Ferizajt, ku ndodhet kampi ushtarak amerikan, “Bondsteel”.

“Ka qenë një skenë e tmerrshme, e tmerrshme dhe çdoherë më shkon mendja se çka do të ndodhë me ne nëse ndodh një çështje e tillë”, thekson Sylejman Syla, para hyrjes së kampit amerikan.

Matanë rrugës ndodhet lapidari kushtuar djalit të ndjerë të presidentit të tanishëm amerikan, Joseph Biden, Beau, i cili kishte punuar në Kosovë.

“Mirëpo, sipas disa fjalëve kur kanë ardhur këta amerikanët këtu, edhe pyetjes së një fshatari tonë të vjetër se ‘sa keni me nejtë këtu’, ai (një komandant amerikan,v.j.) ka thënë ‘vetëm një vit më shumë se turku’”, thekson Syla, duke komentuar diskutimet për tërheqjen eventuale amerikane nga Kosova.

Perëndimi kaherë kishte shprehur drojën se miliarda dollarët e investuar do të përfundonin në duart e zyrtarëve të korruptuar afganë.

Presidenti Joe Biden dhe diplomatë të tjerë amerikanë janë tronditur me shpejtësinë e zhvillimeve të së dielës, duke shtrënguar Ushtrinë amerikane të përshpejtonte tërheqjen e trupave të fundit nga vendi në kaos.

SHBA-ja po “fajësohet padrejtësisht”

Shpejtësia e rënies së Qeverisë afgane dhe kaosi i pastajmë konsiderohen testi më serioz për Bidenin si komandant suprem i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shumë republikanë tashmë e kanë akuzuar për dështim të madh në menaxhimin e krizës së Afganistanit.

Njëherësh, shtetet e tjera perëndimore po vazhdojnë t’i tërheqin trupat ushtarake dhe shtetasit e tyre civilë nga Afganistani që tashmë po kontrollojnë krejt kryeqytetin Kabul. Gjermania ka angazhuar aeroplanët ushtarakë për strehimin e shtetasve gjermanë.

Visar Hoti, drejtor i televizionit Tema, thotë se për rënien e Afganistanit në duar të regjimit brutal taleban po fajësohen padrejtësisht Shtetet e Bashkuara, që ishin prijëse të koalicionit të aleatëve të NATO-s.

“Një fatkeqësi e madhe njerëzore ka ndodhur këto ditë në Afgansitan”, thekson Hoti. “Nuk ishin forcat e Shteteve të Bashkuara, por ishin forcat e të gjitha shteteve të NATO-së të angazhuara në Afganistan, të cilët investuan, trajnuan... një shthurje aq e shpejtë e shtetit është fatkeqësi e madhe për popullin afgan”.

“Të imunizuar nga lufta”

Ferizajasi Istrefi ka mbi 20 vjet përvojë pune në parandalimin e konflikteve, ndërtimin e paqes dhe zhvillimit në konteste të brishta dhe të prekura nga konflikti, përfshirë rol udhëheqës në zhvillimin e strategjive dhe menaxhimin e programeve komplekse në Ballkanin Perëndimor, Azinë Qendrore, Kaukaz, Afganistan, Britani të Madhe dhe SHBA.

Në Kabul u angazhua në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM).

Ai nuk është habitur se si mbi 70 mijë militantët talebanë të fraksioneve të ndryshme ia dolën t’ua merrnin kontrollin brenda nëntë ditësh mbi 350 mijë forcave ushtarake dhe policore afgane, të trajnuara dhe të pajisura me armatim modern nga aleatët perëndimorë.

“Ne ose kemi bërë ndërtimin e ndërtesave publike, ose kemi bërë rindërtimin e tyre”, thekson Istrefi. “Rreziqet kanë qenë shumë të mëdha, do me thënë, përballja e parë me Afganistanin, nuk ka qenë shumë e lehtë”.

Ai thotë se fakti se kishte shkuar nga Kosova, që porsa kishte dalë nga lufta, sikur i “kishte imunizuar” kosovarët që punonin atje. “Ka pasur një ndjenjë imuniteti ndaj të keqes dhe nuk ka pasur frikë”.

Militantët janë munduar të paraqiten si regjim që do të ushtrojë pushtet më të moderuar, por mediat tashmë kanë raportuar se militantët kanë larguar nga puna shumë gra në administratën afgane.

Ata tashmë janë zotuar se do të kthejnë të drejtën e Sheriatit në Afganistan, shteti i parë që do ta njihte pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

Katër vjet më parë Istrefi po merrte për herë të parë udhë drejt shtetit aziatik, që po mundohej t’i vinte themelet e demokracisë. Istrefi do ta vizitonte Afganistanin edhe më 2014 e 2017. Kishte parë se kishte shumë agjenda të ndryshme të shteteve të rajonit që po përkeqësonin situatën në Afgansitan.

“Do me thanë ka aq shumë lloje talebanësh, saqë është ditur se Ushtria afgane nuk e ka kontrollin nëpër distrikte ose provinca”, thekson Istrefi.

“Ushtria” e punëtorëve kosovarë

Kosova nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e qytetarëve të saj që kanë punuar në Afganistan dhe shtetet e tjera aziatike si pjesë e kompanive ndërkombëtare në misione ushtarake e civile amerikane.

Në një analizë të Institutit GAP të publikuar në nëntor të vitit 2011 jepen shifra të detajuara për numrin e kosovarëve të angazhuar në Afganistan dhe pagat e tyre. Sipas raportit të GAP-it, gjatë muajve shtator-nëntor të vitit 2011, një dekadë pas pushtimit të Afganistanit nga forcat aleate ushtarake të prira nga ShBA-ja, 2.100 kosovarë ishin të angazhuar në punë të ndryshme në këtë vend. Kurse nga viti 2001 e deri më 2011 numri i kosovarëve që janë angazhuar në Afganistan në periudha të ndryshme sillej mes shtatë deri tetë mijë persona. Kosovarët kryenin punën e drejtuesve të automjeteve, mekanikë, mirëmbajtës të pajisjeve e punë të tjera fizike.

Në Afganistan paga bazë vjetore e punëtorëve nga vendet në zhvillim, ku hyjnë edhe vendet e Ballkanit, sillej mes 14.800 dollarë deri 29.700 dollarësh. Kurse të hyrat vjetore nga Afganistani për ekonominë e Kosovës silleshin nga 50 milionë euro deri 55 milionë euro. Pjesa më e madhe e punëtorëve kosovarë në Afganistan ishte nga rajoni i Ferizajt, apo 56% e të punësuarve në Afganistan vinin nga ky rajon. Pas Ferizajt vinin punëtorët nga rajoni i Prishtinës (21%), rajoni i Gjilanit (19%), kurse rajonet e tjera nuk e kalonin 1% të të punësuarve në Afganistan.

“Me ardhjen e kampit këtu, një shumicë e të rinjve, diku 60 për qind kanë përfituar duke punuar këtu dhe një pjese e tyre me aftësitë e tyre, nëpërmjet kampit këtu, këta kanë mbërri që me shku në Afgansitan, Irak, Kuvajt, Abu Dabi, dhe këta kanë bërë përfitime shumë të mira”, thekson Syla, kryetari i Sojevës.

Image
Punëtori - Analiza e kontekstit me pjesëtarë të shoqërisë civile, Kabul 2014 (Foto: Astrit Istrefi)

“Bondsteeli”, katapultë për Afganistanin

Dhe kjo lidhje e qytetit më të ri të Kosovës me amerikanët dëshmohet gjatë bisedave joformale kur vendasit i referohen me humor si Ferizaj City.

“’Bondsteeli’ ndikoi si katapultë për punësimin e kosovarëve në Afganistan”, thekson Hoti. “Menjëherë pas intervenimit njësitet e para amerikane patën nevojë për përkrahje atje dhe ishin shqiptarët të parët që shkuan atje”.

Zekirja Shabani, gazetar i ekonomisë, thotë se Kosova pos sigurisë prej pranisë ndërkombëtare ushtarake e civile ka fituar edhe në aspektin ekonomik.

“Qytetarët e Ferizajt janë punësuar në kampin ‘Bondsteel’, por prej 2001-tës, Kosova pa qenë anëtare e OKB-së, kanë shkuar të punonin për kontraktues ose nënkontraktues të Ushtrisë amerikane që kanë pasur misione të ndryshme”, thekson ai. Ndikimi i madh i ferizajasve të kthyer nga Afganistani dhe shtetet e tjera është vërejtur sidomos gjatë pandemisë. Prapa kamerës, agjencitë e patundshmërive thonë se një hise e madhe e blerjes së banesave dhe lokaleve është mbuluar nga qytetarët që kanë kursyer paratë nga puna në shtetet aziatike.

Kthimi i terrorit të “nxënësve” të islamit

Image
Kabul, 2014 (Foto: Astrit Istrefi)

Talebanët, ose “nxënësit” në gjuhën pashtune, u shfaqën në fillim të viteve ‘90 në Pakistanin Verior pas tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani. Besohet se lëvizja kryesisht pashtune u shfaq për herë të parë në medrese – të paguara kryesisht me paratë nga Arabia Saudite – të cilat predikuan një formë të ashpër të islamit sunit.

Premtimi i bërë nga talebanët - në zonat pashtune që përfshijnë Pakistanin dhe Afganistanin - ishte të rivendosnin paqen dhe sigurinë dhe ta zbatonin versionin e tyre të rreptë të Sheriatit, ose ligjit islam, sapo të vinin në pushtet.

Nga Afganistani Jugperëndimor, talebanët e zgjeruan shpejt ndikimin e tyre. Në shtator 1995 e pushtuan krahinën e Heratit, në kufi me Iranin, dhe saktësisht një vit më vonë e pushtuan kryeqytetin afgan, Kabulin, duke e përmbysur regjimin e presidentit Burhanuddin Rabbani - një nga etërit themelues të muxhahedinëve afganë që i rezistoi pushtimit sovjetik. Në vitin 1998 talebanët kishin nën kontroll pothuajse 90 për qind të Afganistanit.

Afganët, të lodhur nga abuzimet e muxhahedinëve dhe luftimet pasi sovjetikët u dëbuan nga vendi, në përgjithësi mirëpritën talebanët kur u shfaqën për herë të parë në skenë.

Popullariteti i tyre i hershëm erdhi kryesisht për shkak të suksesit të tyre në shuarjen e korrupsionit, frenimin e paligjshmërisë dhe bërjen e rrugëve dhe zonave të sigurta nën kontrollin e tyre për lulëzimin e tregtisë.

Por talebanët gjithashtu prezantuan ose mbështetën dënimet në përputhje me interpretimin e tyre të rreptë të Ligjit të sheriatit - të tilla si ekzekutimet publike të vrasësve të dënuar e kurorëshkelësve dhe amputimet për ata që shpalleshin fajtorë për vjedhje.

Burrave u kërkohej të mbanin mjekër dhe gratë duhej të mbanin burka. Talebanët gjithashtu ndaluan televizionin, muzikën dhe kinemanë dhe ndaluan që vajzat e moshës mbi 10-vjeçare të shkonin në shkollë.

Me kthimin e tyre pritet të kthehen edhe të gjitha këto forma të terrorit taleban. Kjo ka shtyrë afganët të marrin botën në sy.

Kosova ka shprehur gatishmërinë për të strehuar afganë që kishin punuar për amerikanët dhe aleatët perëndimorë.

Shembulli i Nënë Terezës

Shabani e Hoti thonë se Kosova pos që do të tregojë anën humane, edhe për shkak të së kaluarës së afërt, do të përfitojë politikisht në skenën politike ndërkombëtare si vend nikoqir i refugjatëve.

“Më e pakta që mund të bëjmë është t’i hapim dyert dhe t’i strehojmë përkohësisht, qoftë edhe duke e ndarë kafshatën e gojës me ta, për shkak se të njëjtën gjë e kanë bërë edhe vendet e tjera me ne”, thotë gazetari Shabani.

“Në qoftë se do të tregohemi humanë, benefitet e shoqërisë do të shihen nga bashkësia ndërkombëtare”, thekson Hoti, duke tërhequr paralele me strehimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Atëherë nuk kemi kalkuluar se po t’i shpëtonim hebrenjtë edhe do të vijë dikush dhe do të na ndihmojë më 1999 për me na çliru”, thekson ai.

Istrefi, i cili shpreson se miqtë e tij afganë do të dalin të gjallë nga shteti tashmë në duar të talebanëve, thotë se Kosova e ka për detyrë t’i strehojë afganët e rrezikuar pa llogaritur fare dobinë e mundshme politike. Të turpshëm e quan diskursin që sheh vetëm dobitë politike nga pranimi i refugjatëve afganë.

“Nëse ndonjëherë kemi thënë dhe jemi mburrur për humanizëm e që e kemi pasur edhe një person që i ka dhënë njerëzimit e planetit shembull, Nënë Tereza, atëherë ne duhet të kemi humanizmin në zemër të pritjes së njerëzve nga Afganistani”, thekson Istrefi.