Arbëri

Mjekët e rinj të angazhuar gjatë pandemisë kërkojnë kushte më të mira

Këshilli i Specializantëve të Kosovës i është drejtuar institucioneve të shëndetësisë me disa kërkesa për ofrimin e kushteve më të mira për mjekët e rinj të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19.

Sipas përfaqësuesve të këshillit, gjendja e mjekëve në specializim po rëndohet nga këto organe. Në një njoftim, thonë se përgjatë pandemisë kanë ndihmuar vullnetarisht, por se e njëjta ndihmë nuk u është ofruar nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK-ja, SHSKUK-ja e të tjera organe të shëndetësisë.

“Ne si mjekë të rinj e specializantë kemi qenë të angazhuar në luftën kundër COVID-19 që nga fillimi i pandemisë. Ky angazhim ka qenë qoftë në pikat kufitare, në QKMF, në spitale rajonale e edhe në IKSHPK dhe Klinikat COVID në ShSKUK, kryesisht në forma vullnetare. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë për vendin tonë megjithëse ndihma juaj ka munguar në çdo hap, edhe pse në shumë raste është rrezikuar madje edhe jeta e disa kolegeve tanë”, thuhet në njoftim.

Veprimet e instancave të shëndetit, sipas Këshillit të Specializantëve, kanë bërë që t’u ndërpritet shkollimi specialistik.

Kërkesat e këshillit:

1. Rregullimin e punës në Qendra të Vaksinimit.

Mjekët të cilët udhëtojnë në qendra jashtë qyteteve ku jetojnë t'u sigurohet transporti, në të kundërtën të kthehen të punojnë ne vendbanimet e tyre aktuale.

(Kemi raste kur janë rrezikuar nga qentë endacakë në orët e hershme të mëngjesit duke ecur nëpër ara për në Qendra të Vaksinimit në qytetet që nuk i njohin).

Të respektoni dhe siguroni orët e parapara të punës, pauza e rregullt dhe kushtet minimale për punë.

(Ju njoftojmë që mjeket janë të obliguar të ushqehen për 10 minuta në kushte minimale higjienike - për çka është lajmëruar Inspektorati Sanitar pranë AUV).

2. Rregullimin e bazës ligjore për pagesën e kujdestarive për të gjithë specializantët jo vetëm në njësitë Covid por edhe në Klinikat përkatëse.

3. Gjate periudhës së vaksinimit specializantët të mbajnë kujdestaritë sipas orarit dhe të sigurohet kompensimi i tyre, që të paktën kjo pjesë e planprogramit të respektohet.