Arbëri

Haxhiu: Qeveria po e shfrytëzon pandeminë për të punësuar 1000 militantë partiakë

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë, për vendimin për të punësuar mbi 1000 punonjës shëndetësorë.

Ai ka thënë se Qeveria po e shfrytëzon pandeminë për të punësuar 1000 militantë partiakë. Haxhiu ka thënë se veprimet e Qeverisë janë paradoksale e hipokrite, pasi ajo nuk ia vazhdoi kontratat 360 infermierëve që ishin me një vit përvojë pune në kujdesin e pacientëve.

“Qeveria Kurti po e dëshmon se është e paaftë. Veprimet e saj janë paradoksale dhe hipokrite. Në këtë kohë para zgjedhjeve lokale shfrytëzon pandeminë për të punësuar 1000 militantë partiakë. Kur them se janë hipokrit ua rikujtoj se është po kjo Qeveri që nuk ua kishte vazhduar kontratat 360 infermierëve që ishin me një vit përvojë pune në kujdesin ndaj pacientëve. Është po kjo Qeveri që ua ndaloi shtesat në pagë profesionistëve shëndetësorë, stafit mbështetës, inspektoratit dhe policisë! Ndërsa tani kur vetëm në 7 ditët e fundit janë regjistruar 9.218 raste pozitive dhe 21 vdekje nga COVID-19, Qeveria Kurti bën veprimin më skandaloz e të turpshëm ku planifikon punësime të militantëve politik për qëllime elektorale”, ka shkruar Haxhiu në Facebook. “Kjo tregon qartë se Qeveria nuk e ka preokupim menaxhinin e pandemisë, por përfitimin klientelist në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarëve të rrezikuar nga COVID-19. Virusi po vret çdo ditë, por të paaftët e papërgjegjshëm të Qeverisë kanë vaksinuar vetëm 12% të qytetarëve me dy dozat, ndërsa synojnë të vaksinojnë 60% të qytetarëve deri në fund të vitit, kur vala e variantit Delta të ketë kaluar e pasojat nuk dihet sa do të jenë?!!! Ky objektiv i Qeverise është injorim i situatës para katastrofës shëndetësorë në të cilën po e dërgon vendin Arben Vitia me shefin e tij Albin Kurti. P.S. Vetëm krahasoni vaksinimin dhe situatën me pandeminë në Kosovë dhe në Shqipëri dhe e vëreni dështimin e Qeverisë së Kosovës. Kosova është tre muaj prapa Shqipërisë sa i përket procesit të vaksinimit, ndërsa numri i rasteve pozitive në Shqipëri është 7-8 herë më i ulët se në Kosovë. Prej fillimit të vaksinimit e deri me sot në Shqipëri janë kryer në total 1,340, 338 doza të vaksinës ndaj COVID19, ndërsa në Kosovë në total janë administruar 662.068 Tani kur situata ju ka dalur nga kontrolli sa i përket numrit të infektimeve qeveria u kujtua të marr masa. Nuk e di me çfarë fytyre del dhe kërkon votën e qytetarëve ministri i shëndetësisë Arben Vitia. Uroj që qytetarët e kanë kuptuar mashtrimin që ua ka bërë ai. Kjo qeveri është për keqardhje me paditurinë, joprofesionalizmin dhe papjekurinë politike që po tregon”.