Arbëri

Komunat po kërkojnë me ngulm që vaksinim të ketë edhe të dielën

Kryetarët e komunave të Kosovës po kërkojnë me ngulm nga Ministria e Shëndetësisë që vaksinimi anti-COVID të vazhdojë edhe të dielave.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se duhet krijuar lehtësira për vaksinim, si të punohet në fundjavë, të hapen qendra të reja vaksinimi, të ketë ekipe mobile për vaksinim në zona të ndryshme.

Me kërkesë të kryetarëve të komunave është vendosur që vaksinim të ketë të shtunave.

“Komunat me ngulm po kërkojnë që edhe e diela të jetë ditë për vaksinim. Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojë me urgjencë mekanizma që do të lehtësonin vaksinimin e qytetarëve! Ditëve të fundit është rritur shumë interesimi i qytetarëve për vaksinim. Ministria duhet të ofrojë mekanizma që do të lehtësonin këtë proces, si: mundësinë që të punohet edhe në fundjavë, të hapen qendra të reja vaksinimi, të krijohen ekipe mobile për vaksinim në zona të ndryshme etj. Komunat janë të gatshme që me të gjitha kapacitetet të krijojë lehtësira në këtë drejtim, për aq sa Ministria ndryshon strategji dhe merr vendim për këtë”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka treguar se dje disa kryetarë të komunave, si ai i Vushtrrisë dhe Suharekës, kanë shprehur gatishmëri që komuna të mbulojë shpenzimet e stafit shtesë, me kushtin që MSH-ja me ua përcjellë një email ku e kërkon këtë.